“Fëmijët po dhunohen seksualisht brenda mureve të shtëpisë dhe nënat po fshehin abuzimin”

Shqipëria

“Fëmijët po dhunohen seksualisht brenda mureve të shtëpisë dhe nënat po fshehin abuzimin”

Më: 21 janar 2021 Në ora: 20:34
Ilustrim

Dhuna seksuale ndaj të miturve në Shqipëri është kthyer në një fenomen gjithmonë e më në rritje, duke shkatërruar jetët e viktimave dhe familjeve të tyre. Vetëm në dy vitet e fundit 31 të mitur kanë denoncuar dhunën seksuale që kanë përjetuar. Mosha e fëmijëve shqiptarë të abuzuar seksualisht varion nga 4-18 vjeç. 19 abuzime seksuale janë denoncuar vetëm këtë vit, nga 12 që ishin në 2019. Praktikisht ne vendin tonë çdo 3 javë, një fëmijë është abuzuar seksualisht.

“Nuk jam I bindur të them që kemi rritje të rasteve, por di të them që kemi një numër të raportimeve gjithnjë e në rritje. Po të shikojmë studimet që bëhen në popullsi, numri i atyre që raportojnë është ende shumë i vogël, krahasuar me numrin e vërtetë të fëmijëve dhe adoleshentëve që preken nga dhuna seksuale”,-tha drejtori ekzekutiv i CRCA.

“Në Shqipëri vitet e fundit ka patur një rritje të numrave sa i takon krimeve seksuale ku është kryer kjo marrëdhënie. Pra nenit 101, 108 dhe 108 A”,- tregon pedagogu Luku.

Tirana dhe Durrësi mbajnë vendet e para për dhunën seksuale, por specialistët pohojnë se edhe qendra të vogla urbane e tradicionale ndonjëherë kanë numër të lartë rastesh.

Referuar statistikave 56% e dhunës seksuale ndodh në komunitet, 26% ne shtëpi, 11% në shkollë. Le të ndalemi në secilin nga këto vende, duke filluar me atë që duhet të jetë më i sigurti për një fëmijë, familja.

“Në shumicën e rasteve agresori është nga rrethi familjar. Një gjë e tillë e bën më të vështirë situatën. Fëmijët ndihen të shantazhuar dhe nuk ndihen të sigurt nëse dikush do i besojë”,- shprehen për Unpublished psikologët.

“Kemi patur një rast në Shkodër. Edhe pse mamaja ka qenë në dijeni të rastit nuk ka pranuar të bashkëpunojë me uniformat blu, madje ka tentuar ta mbrojë bashkëshortin e saj”,-rrëfen pedagogu Elvin Luku.

2020 ka qenë një vit I zi për dhunën seksuale ndaj të miturve. Një pjesë e rasteve u publikuan në media dhe tronditën opinionin publik. Më poshtë janë disa nga rastet dhe rasti i parë ka ndodhur sapo filloi viti 2020 në 20 janar, në zonën e Plazhit në Durrës, u publikua lajmi se një 18 vjeçar u vu në pranga, pasi dyshohej se përdhunoi një 16-vjeçare.

Vazhdoi me rastin tjetër në 21 prill 2020, ku një i moshuar abuzonte me të miturën vetëm 17 vjeç. I moshuari pranoi autorësinë, por tashmë ai gjendet i lirë. 

Pa kaluar dy muaj nga ngjarja në 5 qershor 2020, një tjetër ngjarje e rëndë u denoncua në media. Lefter Ruko kishte abuzuar seksualisht me një të mitur vetëm 10 vjeçe, por çuditërisht, Gjykata e Vlorës I kishte ndryshuar masën e sigurisë, nga arrest me burg në arrest shtëpie.   

“Në të gjitha rastet që kemi hulumtuar vetëm në një rast është kryer hetimi pedofilik. Në rastet e tjera janë konsideruar si krime të zakonshme. Nga studimet rezulton që 25% e personave që kanë kryer krimin e abuzimit seksual I janë rikthyer sërish një krimi të dytë.  Ky 25 % janë vetëm ata që raportojmë. Por ka edhe nga ato që nuk raportohen. Një pjesë e tyre edhe pasi dalin nga qelia, po e bënë sërish një vepër të tillë, e fshehin, madje edhe familja”,- shprehet pedagogu Luku.

Dhe po me të njëjtën pandëshkueshmëri janë trajtuar edhe rastet e dhunës seksuale në shkolla. Ndaj ekspertët propozojnë disa rrugëzgjidhje të tjera.

“Të shtohen psikologët. Të bëhet hetim për rastet e ndodhura. Deri më tani nuk kemi asnjë drejtues shkolle të shkarkuar, edhe pse raste kemi pasur plot, Kush do ta mbajë këtë përgjegjësi”,- thekson eksperti Ndriçim Mehmeti. 

Në Shqipëri nuk është problem vetëm mungesa e psikologëve në shkolla, por edhe mungesa e Regjistrit Kombëtar të Abuzuesve Seksualë.

“Një tjetër problem është mungesa e aktivizimit të Regjistrit Kombëtar të Abuzuesve Seksualë. Është një projektligj në thonjëza I mbyllur. Është kaluar në kuvend, por jemi duke diskutuar modalitete të shqyrtimit të projektligjit”,- tha Hazizaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat