Nëna rrëfen kërcënimet me jetë që ka marrë nga abuzesit e vajzës së mitur

Shqipëria

Nëna rrëfen kërcënimet me jetë që ka marrë nga abuzesit e vajzës së mitur

Më: 21 janar 2021 Në ora: 20:38
Ilustrim

Vetëm pak ditë më parë u shënua në Shqipëri rasti më i fundit i abuzimit seksual të të miturve brenda familjes. Dokumentari Unpublished investigon këtë fenomen që po njeh vetëm rritje, arsyet dhe mënyrat si ndodh kjo dhunë tek fëmijët.

Iu sjellim rrëfimin e një nëne për vajzën e saj të mitur që fillimisht ra pre e dhunës seksuale, e më pas shkoi deri në kufijtë e trafikimit.

Historia e këtij abuzimi nisi kur vajza ishte vetëm 15 vjeçe. Minorenia nisi të shoqërohej me një grup shoqëror me sjellje problematike dhe disa pjesëtarë të tij e prezantuan me një çift, i cili prostituonte vajza të reja në këmbim të parave. E ëma tregon për Unpublished kalvarin e vuajtjeve të vajzës mes të droguarit, përdhunuarit e prostituimit për dy vite me radhë.

“Ata erdhën dhe e morën si shumë herë të tjera, gjoja për të bërë xhiro. Ajo kujtonte se unë nuk e kuptoja, por në fakt unë dija gjithçka. Ajo më thoshte që nëse do flisnim do dilte gjithë rrjeti dhe do e vrisnin”,- fillon rrëfimin nëna.

Kjo frikë e detyroi familjen të heshtë dhe trafikantët vijonin pa ndërprerje abuzimin me vajzën.

“Kohët e fundit gjendja u përkeqësua shumë. Vinin ma merrnin vajzën dhe e  dhunonin, e drogonin duke e mbajtur nëpër hotele. Ata e kanë përdorur edhe që të shiste drogë”,- thotë nëna.

Nëna shkon më tej dhe ka treguar për Unpublishd dhe një episod që kishte ndodhur në prezencën e saj.

Dy të rinjtë, tashmë të arrestuar, Evisa Mema dhe Gerald Mali, në mbrëmje shkojnë tek dera e banesës së familjes së të abuzuarës. Të tmerruara nënë e bijë hapin derën dhe pas një debati të gjatë, çifti merr me dhunë minorenen. Në atë moment e gjendur përballë një situate shumë të vështirë, e ëma lajmëron policinë. Për fat të keq, në momentin e mbërritjes së tyre, gjithçka kishte mbaruar.

Vajza kishte frikë ti denonconte pasi kërcënimet ishin të rënda.

“Më kanë thënë që do të vrasim mamanë dhe vëllanë nëse nuk prostituohesh”,- i thoshte ajo të ëmës.

Psikologia Oriola Plaku tregon se zakonisht pre e abuzimeve seksuale bien fëmijë që kanë probleme në familje.

“Fatkeqësisht ato që bien pre e abuzimeve  dhe përdhunimeve janë kryesisht fëmijë të familjeve me probleme, ose të varfër ose prindër të divorcuar. Dhe familje të tilla e kanë edhe shumë më të vështirë që të kërkojnë ndihmë që në fillim”,- shprehet psiokolgia.

Nëna nuk duronte abuzimet dhe dhunën që ushtrohej mbi dhe e këshillon të bëj denoncimin në polici.

“Denoncoji i thosha, shpëto veten. Ajo më thoshte që do na vrisnin të treve. Madje edhe mua më kanë detyruar disa herë që të kërkoja lekë borxh dhe t’ua jepja atyre. Më thoshte vajza që kur nuk I jepja unë lekë, ata e rrihnin”,- rrëfen nëna.

Minorenia e gjeti kurajën të shkonte në polici, vetëm pas disa vitesh shfrytëzimi nga çifti tutor.

“Vij në shtëpi dhe nuk e gjej vajzën. Më telefonon pas disa ditësh dhe më tha mami shpejt se jam arratisur. Eja të ikim në polici, sepse nëse vij sërish në shtëpi ata vijnë me vrap më marrin”,- vazhdon rrëfimin nëna.

Kjo telefonatë bën që e ëma të çohet menjëherë dhe të shoqërojë vajzën e saj në komisariati.

“Atë natë vajtëm direkt në polici. Kemi qëndruar 9 orë duke treguar. Tha ca gjëra që nuk I kishte deklaruar më parë se ai ishte një rrjet i madh dhe se kishte edhe vajza të tjera”,- tregon nëna.

Kjo histori është zhvilluar për tre vite me radhë në Tiranë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat