'Destinacion' prezanton figurat historike të Elbasanit, që kanë bërë historinë e Shqipërisë

Shqipëria

'Destinacion' prezanton figurat historike të Elbasanit, që kanë bërë historinë e Shqipërisë

Më: 28 janar 2021 Në ora: 20:45
Pamje e shkeputur nga video

Destinacioni ku ka qenë sot Rezarta Delisula ka nxjerrë shumë figura që i kanë dhënë vendit dhe arsimit, por do t'ju bëjmë një tur një ditor në objektet më me rëndësi në qendër të tij dhe do u çojmë në manastirin e Shën Vladimirit, familja e së cilit themeloi shtetin e Duklës ose Malit të Zi.

Elbasani ky qytet i vendosur në zemër të Shqipërisë, në krahinën Qendrore Malore ruan ende një pjesë të pasurisë të së shkuarës së tij.

Kalaja e Elbasanit vazhdon të jetë e populluar dhe është një ndër objektet më me vlerë të këtij qyteti. Kalaja e Skampis-it emri i vjetër i Elbasanit ka pasur 26 kulla, por deri në ditët e sotme nuk ruhen plotësisht të gjitha.

Nga tre hyrjet e vendosura në mes të murit jugor, perëndimor dhe atij lindor, sot ruhet gjysmë e rrënuar vetë kjo, porta jugore. Ato quheshin Porta e Pazarit; Porta e Jeniçerëve Porta e Ahmedajt.

Mes përmes kalasë kalon rruga Egnatia, sigurisht një segment i saj. Pikërisht në këtë rrugë u ngrit vite më vonë shtëpia e Lef Nosit firmëtarit të Pavarësisë.

Dy nga objektet më me rëndësi po brenda mureve është godina ku u mblodh Kongresi i Elbasanit në oborr të së cilës prehen dhe eshtrat e Kostandin Kristoforidhit si dhe Kisha e Shën Mërisë e shpallur monument kulture në vitin 1963.

Profesoresha e Universitetit Aleksandër Xhuvani, Teuta Toska na e shpjegon pasurinë intelektuale të qytetit të Elbasanit...

“Në manastir si objekt kulti në 1976 është gjetur një dokument shumë i rëndësishëm për shkrimin në shqip dhe njihet si anonimi i Elbasanit. Nuk dihet autori, por ky dokument ka hyr gjerësisht në historinë e letrave si anonimi i Elbasanit, që mund të ketë qenë një peshkop,” – tha Znj. Toska për Destinacion.

Profesoreshë Teuta na tregoi se manastiri i Shën Vladimirit ka qenë qendra me ndikim të madh shpirtëror në Elbasan.

Por s'mund të largohemi nga Kalaja e Elbasanit pa vizituar kullën e sahatit.

Idajet Kaca prej vitesh kurdis orën mekanizmi i së cilës u soll në Elbasan nga tregtarët vendas. Ai e vajis dhe e kurdis një herë në pesë ditë ndërsa çdo një orë bie kambana që është mbi kullë.

Kulla daton që në vitin 1899, por nga burimet e shkruara rezulton se qyteti i Elbasanit ka pasur një kullë të tillë që prej shekullit të XVII.

Një vizitë në muzeun Etnografik që është po në qendër në kufi të lulishtes ku është Bazilika, duhet bërë patjetër sepse aty do të prekni Elbasanin vërtetë. Ky muze është ndërtuar në vitin 1986 dhe është pronë e familjes Sejdini.

Silva Belegu, drejtoreshë e trashëgimisë kulturore na bën një përshkrim të detajuar të këtij muzeu të rrallë.

“Kati përdhes në atë kohë përdorej si magazinë, por që vizitori të ketë një ide se kush ishin punimet e artizanëve kemi bërë dy dhoma. Te njëra dhomë është përpunimi i leshit, te tjetra ndodhet dredhaleshësi, që përdoret vetëm për leshin e dhisë. Kemi dhe një dhomë të tretë për përpunimin e drurit dhe metaleve ku ndodhen dhe enë bakri,” – shprehet Znj. Belegu.

Tavani i kësaj dhome u mor nga shtëpia e Lef Nosit, ndërsa kjo është pushka e vetme e bërë në Elbasan që quhet Huta e Miletit ose Huta e Elbasanit.

Në fund të ditës sonë kthehemi për të vizituar vendin e shenjtë, manastirin e Shën Vladimirit. Manastiri ndodhet në fshatin Shijon i cili është tërësisht ortodoks përveç një familje të ardhur nga Korça që është myslimane. Sot është një oaz paqeje, por që në kohën e komunizmit u përdor si depo për ushtrinë.

Duke pasur në mend amanetin e Kristoforidhit largohemi nga vendi i paqtë ndërsa nata ulet lehtazi mbi qendrën shpirtërore të elbasanllinjëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat