“Ku e ke djalin, pse nuk...?”/ Atentati ndaj 60-vjeçarit në Mamurras, zbardhen mesazhet kërcënuese

Shqipëria

“Ku e ke djalin, pse nuk...?”/ Atentati ndaj 60-vjeçarit në Mamurras, zbardhen mesazhet kërcënuese

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 10:49
Myslim Lika

Atentati i pesë ditëve më parë ndaj 60- vjeçarit Myslim Lika në Mamurras mund të ishte parandaluar nga Policia.

Sipas burimeve nga uniformat blu, bashkëshortja e 60-vjeçarit, Dilë Lika, një muaj përpara se burri i saj të qëllohej me tre plumba ka bërë një denoncim në Polici. Ajo ka deklaruar se familja e saj është kërcënuar nga një person. Sipas informacioneve, kallëzimi është bërë në Komisariatin Nr. 3, në Tiranë.

Referuar kallëzimit në Polici, gazeta “Panorama” mëson se Dilë Lika është kërcënuar përmes telefonit me telefonata dhe mesazhe të ndryshme. Sipas dëshmisë që ajo ka dhënë para oficerëve të Policisë, persona të paidentifikuar e merrnin në telefon dhe i shkruanin mesazhe me tekst: “Ku e ke djalin? Të ka rënë prapë në burg? Përse nuk përgjigjesh, apo nuk të vjen mirë?”. Këto janë disa nga mesazhet e dërguara në numrin personal të gruas, pas arrestimit të djalit të saj Ilir Lika (Xhepaj), i cili është vënë nën akuzë si bashkëpunëtor në ekzekutimin e biznesmenëve Bujar Lika dhe Paulin Gjergji në Gjorm të Kurbinit.

Ndërkohë, edhe në intervistat e dhëna për mediat, Dilë Lika ka deklaruar se prej shumë vitesh familja e saj ka marrë kërcënime të ndryshme kjo referuar faktit se bashkëshorti dhe djali i saj kanë qenë të përfshirë në ngjarje kriminale. Myslim Lika u qëllua mesditën e 28 janarit, teksa po kthehej nga varrimi i së motrës. Lika ra pre e një atentati nga persona të cilët nuk janë identifikuar ende, ku mori dy plumba, por fatmirësisht arriti të mbijetojë dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Myslim Lika është babai i Ilir Xhepajt (Lika), një nga personat i marrë i pandehur si i dyshuar në vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, ngjarje e ndodhur më 30 maj të vitit të kaluar. Po ashtu ai rezulton të jetë dhe autor i plagosjes së shtetasit Zef Marku, ngjarje e ndodhur me 15 maj të vitit 2020 në qytetin e Laçit.

Ndërkohë, shënjestra e atentatit me armë zjarri, 60- vjeçari Myslim Lika, rezulton person me precedent të mëparshëm penal, pasi ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri. Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, por pavarësisht veprimeve intensive hetimore, Policia ende nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e atentatorëve ndaj 60-vjeçarit Myslim Lika.

Ai u qëllua me armë zjarri mesditën e 28 janarit, teksa po kthehej nga varrimi i motrës së tij në qytetin e Mamurrasit, ndërsa autorët të cilët mendohet se kanë qenë dy persona, u larguan me shpejtësi me një automjet me xhama të zinj.

Bashkëshortja e Myslim Likës, i plagosur në atentatin me armë zjarri në Mamurras, ka hedhur dyshimet e saj lidhur me ngjarjen. Dilë Lika ka thënë se bashkëshorti i saj, por edhe persona afër tij e kanë parë atentatorin, ndërsa ka përmendur emrin e Zef Markut, si njeriu që mund të ketë qëlluar ndaj tij. Zef Marku është plagosur në 15 maj 2020 nga Ilir Xhepaj (Lika) e fill pas kësaj ngjarjeje ai ka marrë pjesë në atentatin e dy biznesmenëve.

“Myslimi ka qenë në varrimin e motrës së tij në Mamurras. U qëllua kur kthehej nga varrimi, teksa shkonte për te shtëpia e motrës nga një makinë e zezë tip ‘Volswagen’ me xhama të zinj. Ai vetë dhe personat që ishin me të i kanë parë atentatorët. Është qëlluar me plumb shumë afër zemrës. Për atentatin ndaj Myslimit dyshoj te Zef Marku, nuk e lidh plagosjen e burrit me dy vrasjet. Për dy vrasjet mund ta kishin vrarë në Tiranë burrin tim. Ne kemi pasur kërcënime plot”, ka thënë Dilë Lika.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Kurbinit ka përfunduar hetimet për vrasjen e dy biznesmenëve Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, ngjarje e ndodhur në muajin maj të vitit 2020, brenda një lokali në autostradën Milot-Mamurras.

Në lidhje me këtë krim të dyfishtë janë dërguar për gjykim katër persona, të akuzuar për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Eduart Lamaj akuzohet në rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij, Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkolaj dhe Oltion Vlashi, akuzohen në rolin e ndihmësit në vrasje. Sipas Prokurorisë, motivet e ngjarjes mbeten të paqarta, por ka dyshime të forta se katër të akuzuarit në këtë dosje kanë pasur si qëllim grabitjen e biznesmenit Paulin Gjergji, ngjarje që përfundoi më pas në përdorimin e armës, duke qenë se edhe Bujar Lika ka qenë i armatosur.

Sipas burimeve, familjarët e 4 autorëve e kanë dënuar ngjarjen e rëndë dhe në emër të tyre babai i Eduart Lamajt i ka dërguar një masazh familjes së Bujar Likës, duke i kërkuar falje në emër të 3 familjeve. Referuar dosjes hetimore, babai i Lamajt ka thënë se “gjakun e ke tek unë dhe mos e kërko në tjetër vend”.

Por, në përgjigjen e tij, babai i Bujar Likës ka thënë se ajo fjalë nuk kishte vend në bazë të zakonit, pasi lajmin e kishin marrë vesh të gjithë. Ndërkohë, për dy mjekët Besim Lama dhe Viktor Marku që mjekuan në një klinike private Eduart Lamajn, i cili mbeti i plagosur në këtë ngjarje, dosja është veçuar dhe po vijon hetimi.

Në lidhje me vrasjen e dyfishtë janë në paraburgim Eduart Lamaj dhe Ilir Lika (Xhepaj), ndërsa Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi vijojnë të jenë në kërkim nga Policia. Ata dyshohet se janë larguar jashtë vendit pas ngjarjes, por nuk janë shpallur ende në kërkim ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat