Qeveria tërhiqet nga paralajmërimi për të rritur mesataren e pranimit në universitet

Shqipëria

Qeveria tërhiqet nga paralajmërimi për të rritur mesataren e pranimit në universitet

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 00:59
Këshilli i Ministrave

Këshilli i Ministrave ka bërë një hap prapa në projeksionet e saj për të pranuar më të mirët në universitet, përmes rritjes së notës mesatare.

Pas vendimeve të përvitshme me ndryshimet në pranime, zakonisht një muaj përpara aplikimeve në universitete, këtë vit, qeveria nuk ka pritur aq gjatë. Në 27 janar mori një vendim të ri që impakton mbi 30 mijë maturantët e pandemisë. Kësaj here, jo duke shtrënguar kushtet për të hyrë në një nga institucionet e arsimit të lartë, qoftë publik a privat, por për t’i liruar ato.

DETAJET E VENDIMIT

Për pranimet e reja në universitete, qeveria është ndalur në mesataren 6.5 për të gjithë të rinjtë, ndërsa për mësuesit e ardhshëm, 7.5. Gjashtë muaj pasi “paralajmëroi” gjimnazistët për vendimin e rritjes së mesatares, me 7 për çdo program studimi dhe 8 për degët e mësuesisë, vendos të tërhiqet. Në 29 janar të këtij viti, me propozimin e ministres së arsimit, Kryeministri Edi Rama ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e një viti më parë, i vlefshëm për pranimet e 2021-2022 e në vijim. Janë 72 degë në universitetet publike dhe 16 në ato private që në konkursin e këtij viti dhe në vitet që do pasojnë duhet të kenë në bazohen në vendimin e fundit.

Nota mesatare përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve: mesataren aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit, si dhe mesatares aritmetike të thjeshtë të notave të provimeve të maturës shtetërore. Vendimi nuk përkufizon çdo të ndodhë me programet profesionale 2-vjeçare, për të cilat deri dje, nuk kishte kufi minimal mesatareje për të aplikuar. Kriteri i notës mesatare si kusht për të aplikuar në universitet është futur nga kjo qeveri në vitin 2016, fillimisht me notën 6, që vlente për të gjithë maturantët që donin të ndiqnin shkollën e lartë.

Dy vite më vonë, u aplikua nota 7 vetëm për programet e mësuesisë, me idenë që do të rritej vit pas viti, për hir të cilësisë në arsim. Qeveria nuk u ndal as përpara pandemisë, duke rritur me 0.5 notën mesatare edhe këtë vit, por vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve qendrore vendosi të tërhiqej duke zgjeruar mundësinë e garimit për mijëra maturantë me rezultate jo të larta. Mbi 30 mijë maturantë dalin çdo vit nga bankat e shkollës, por jo të gjithë janë kontingjent për universitetet. Një pjesë nuk kalojnë dot vitin, të tjerë ngelin në provimet e fundit, ndërsa nuk janë të paktë ata që zgjedhin universitetet e huaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat