Humbi gruan nga Covid, përlotet Qiriaqi: Te ‘Shefqet Ndroqi’ treguan kujdes special, profesional dhe shpirtëror

Shqipëria

Humbi gruan nga Covid, përlotet Qiriaqi: Te ‘Shefqet Ndroqi’ treguan kujdes special, profesional dhe shpirtëror

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 20:45
Sotir Qiriaqi

Ajo i qendronte afër në çdo garë. Ishin aq të lidhur saqë maratonomaku i njohur Sotir Qiriaqi ende nuk është gati të pranojë vdekjen bashkëshortes së tij në moshën 62-vjeçare për shkak të koronavirusit. Loreta për Sotirin ishte vetë sekreti i jetës së tij.

“Bashkëshortja ime ka qenë një support, ajo më ka kuptuar, këtu është gjithë sekreti i jetës që çfarë indikacioni ka burri me gruan për të bërë diçka të bukur,”-u shpreh ai.

Në një intervistë televizive, Qiriaqi nuk nguron të falenderojë edhe bluzat e bardha, pavarësisht dhumbjes që ka.

Ai shprehet se sanatoriumi ‘Shefqet Ndroqi’ është një nga spitalet më marramendës që ka vendi.

“Në orën një të mëngjesit, bashkëshortja ime ndërroi jetë nën kujdesin special, profesional dhe shpirtëror. Bashkëshortja ime është shtruar në senatoriumin e Tiranës si pasojë e disa kontrolleve sistematike në disa klinika. Nën diktatin e mjekëve para tre javësh e shtrova. Aty me urgjencë është pritur nga mjekët dhe I janë bërë analizat. Gjendja ishte e rëndë, Covid i kishte kapur 18% të mushkërive. Unë dua ta them dhe madje do ta postoj edhe ne Facebook.

Ajo është pritur nga infermierë, mjekë dhe ndihmësmjekë me shumë respekt. Nga dita që është shtruar dhe deri në fund. Ne nuk duhet vetëm të kritikojmë dhe të shajmë. Ka dru të shtrembër, por ka edhe njerëz të mirë. Ajo ka qenë nën kujdesin e mjekëve, me një shërbim special me të ngrëna e të gjitha.

I janë bërë të gjithë respiratorët furnizues. Mjekët në atë pavion nga më i thjeshti Franc Rrumbullaku e deri te doktor Perlati, apo një zonjë grua si Silva Bino, kanë përdorur të gjithë bagazhin mjekësor” – thotë Qiriaqi me lot në sy.

75-vjeçari më tej zbuloi se çfarë i kishte thënë bashkëshortes në varreza, ndërsa kishte edhe një mesazh për të gjithë.

“Unë në varreza I thash bashkëshortës time me një monolog individual: lamtumirë Loreta! Dhe meqënse është përgjithmonë po e them si Bajroni: Lamtumirë përgjithmonë! Unë do jem me ty shpirti im. kjo intervistë të jetë një mesazh i fortë të ruheni nga kjo sëmundje. Bëni kontroll, mos i mbani lekët nëpër xhepa, bëni konsulta” – tha Qiriaqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat