“Të përdhunuar në internet”/ Pandemia ekstremizoi dhunën seksuale, pornografinë dhe kërcënimet te fëmijët

Shqipëria

“Të përdhunuar në internet”/ Pandemia ekstremizoi dhunën seksuale, pornografinë dhe kërcënimet te fëmijët

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 00:17
Foto ilustruese

Viti 2020, i cili u shoqërua edhe me një prej ngjarjeve më të papritura për të gjithë botën, pandeminë Covid-19, solli një tablo të ndryshme nga vitet e tjerë, përsa i përket përdorimit të internetit në Shqipëri. Fillimviti detyroi të gjithë vendin të futet në karantinë, gjë që solli fokusin kryesor të të gjithë fëmijëve, të rinjve por edhe të gjithë të tjerëve drejt të vetmes rrugë të lidhjes me njerëzit, përdorimin e internetit.

Mbyllja e detyruar e fëmijëve dhe të rinjve dhe vendosja e tyre përballë një interneti ende të pasigurt, krijoi përgjatë vitit 2020 edhe një risi për të gjithë ekspertët e sistemit të mbrojtjes së tyre nga grabitqarët seksualë online, atë të rritjes galopante të faqeve pornografike dhe përdorimit pa kriter të platformave gjigande të internetit.

Raporti i 3-të Kombëtar “Të përdhunuar në internet: Industria e Internetit përballë mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri!”, vjen në ditën ndërkombëtare per internetin e sigurt, bazuar në një analizë të punës së të gjitha strukturave dhe shërbimeve që punojnë në mbrojtje të fëmijëve nga pasiguria online si Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt, shërbimi falas i këshillimit dhe referimit Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës për Fëmijët ALO 116111, si dhe Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri.

Qëllimi i këtij raporti është qartësimi i realitetit në të cilin jetojnë, dëfrehen dhe mësojnë fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri, përballë rreziqeve dhe ekspozimit ndaj një vale të dhunshme çdo ditë e në rritje të grabitqarëve seksuale, dhunuesve ndaj fëmijëve në të gjitha format e dhunës online.

Gjetja më kritike në këtë raport është rritja me një shifër shumë të madhe, të 600 fishuar, të raportimeve për pornografi me të mitur. 6273 faqe, foto, video, materiale me përmbajtje të papërshtatshme pornografike janë shfaqur dhe mbyllur brenda harkut kohor të vitit 2020.

“Të rinjtë e grupmoshës mbi 18 vjeç, këtë vit kanë qenë risi përsa i përket numrit të madh të raportimeve krahasuar me një vit më parë. 31% e rasteve kanë qenë mbi moshën 18 vjeç. Kjo gjetje ngre edhe shqetësimin se të rinjtë mbi 18 vjeç që janë “pre” e kërcënimëve, dhunës seksuale dhe shantazhimeve online etj., nuk kanë një platformë që i përket atyre në të cilën ata të raportojnë dhe të mbrohen. Pandemia shumëfishoi raportimet e internetit të pasigurt. Muajt Mars, Prill 2020, mbajnë rekordin e tyre”, shkruhet në raporti.  

Faqet shqiptare kanë shënuar një rritje drastike përsa i përket përdorimit të materialeve të papërshtatshme, të cilat kërcënojnë dhe rrezikojnë fëmijët dhe të rinjtë në përdorimin e internetit. Në raport shkruhet se krahasuar me një vit më parë, ku nga raportimet këto faqe ishin pothuaj zero, këtë vit ato janë rritur në masën 8% ku edhe këtë vit, vajzat vijojnë të mbajnë vendin e parë përsa i përket raportimeve për internetin e pasigurt në 54%, krahasuar me djemtë 42%.

Mosha më e prekur e fëmijëve dhe adoleshentëve nga përdorimi i internetit të pasigurt mbetet mosha 15-17 vjeç, e cila përfshihet në masën 40% të saj. Përsa i përket shtrirjes gjeografike të raportimeve të ngacmimeve, dhunës seksuale, pornografisë dhe shfrytëzimit të fëmijëve në internet, “qytetet si Durrësi, Korça, Pogradeci, apo edhe Gjirokastra bëjnë pjesë në ato qytete, të cilat duken se nuk raportojnë ende në pjesë të konsiderueshme rastet e problematikave që hasin fëmijët dhe adoleshentët në internet”.

Ndërkohë, Instagrami vijon të mbetet platforma më e pasigurt për fëmijët shqiptarë.

Në raport shkruhet se 70% e rasteve që kanë raportuar dhunë apo denigrim të imazhit janë djemtë ndërkohë që 69% e rasteve të nuditetit i përket vajzave dhe 66% e rasteve të ngacmimeve seksuale i përket sërish gjinisë së vajzave.

Një gjetje tjetër që duhet nënvizuar është se vajzat kanë qenë në masën më të madhe të tyre të përndjekura, të kërcënuara dhe të shantazhuara nëpërmjet internetit me 68% e vajzave që kanë raportuar këtë fenomen.

Nga ana tjetër, sipas raportit të ISIGURT.AL, Sektori i Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Shtetit është një prej institucioneve të cilët në punën e tyre kanë patur ende mangësi përsa i përket ndjekjes së rasteve të referuara prej tyre dhe ALO 116 111.

Por viti 2020 shënoi edhe një vit suksesi pasi 64% e rasteve janë totalisht të mbyllura, një shifër kjo që bazuar në numrin e rasteve që kanë ndodhur gjatë këtij viti dhe vijueshmërinë dhe intensitetin që kanë patur paraqitet shumë e lartë krahasuar me vitet e tjera. Platforma Kombëtare www.ISIGURT.al ka marrë përgjatë vitit 2020 rreth 17.000 vizita në webin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat