VOA: COVID 19, Shqipëria ashpërson masat kufizuese

Shqipëria

VOA: COVID 19, Shqipëria ashpërson masat kufizuese

Më: 10 shkurt 2021 Në ora: 16:24
Shqipëri

Në Shqipëri, rritja me shpejtësi e rasteve të reja me COVID 19 dhe dyshimet po ashtu të forta për qarkullimin e varianteve të reja të virusit, çoi autoritetet që, siç dhe ishte paralajmëruar, të ashpërsojnë masat kufizuese. Në përfundim të mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se duke nisur nga nesër zgjerohet orari i ndalim-qarkulllimit nga ora 22.00-06.00 që është aktualisht në 20.00-06.00. Po ashtu, në të paktën 10 bashki të vendit, ku është vërejtur një përhapje më e gjerë e virusit, mësimi në shkollat e mesme do të zhvillohet online. Sa i takon Universiteteve të cilat që në nisje të sezonit zhvillojnë mësimet në distancë “sezoni i provimeve do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të Ministrisë së Arsimit, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid”.

Masat e reja do të jenë në fuqi për të paktën dy javë, periudhë të cilën ministrja Manastirliu e cilësoi “vendimtare. Janë vetëm dy javë dhe nga gjithësecili kërkohet një sakrificë. Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t'i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh. Mes qytetarëve dhe autoriteteve shëndetësore. Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme, do të vendosë nëse do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim”, deklaroi zonja Manastirliu duke theksuar se “nuk do të ketë tolerance për moszbatimin e masave dhe protokolleve antiCOVID. Task Forca AntiCOVID do të jetë 24 orë në terren për të monitoruar zbatimin e masave, në çdo cep të vendit.”

Në javën e fundit, rastet e reja janë rritur me gati 25 përqind. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albania Fico bëri të ditur se “mesatarja e rasteve ditore në javën e fundit, krahasuar me atë pararendëse është rritur nga 836 në 1030 dhe pozitiviteti është rritur pavarësisht numrit të shtuar të testimeve. Përveç rritjes në grupmoshat 45-64 vjeç që dominojnë rastet e konfirmuara, një rritje ka dhe për moshat 15-24 dhe 25-34 vjeç. Ky element dhe shpejtësia me të cilat po përhapet infeksioni dhe sinjalet që kemi nga laboratori ynë i Shëndetit Publik përbëjnë dyshim për qarkullimin e rasteve mutante”.

Dyshimet janë si për variantin anglez ashtu dhe për atë afrikano-jugor. Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se pritet shumë shpejt përgjigja për 50 mostra të dërguara në Institutin e Shëndetit Publik të Anglisë.

Rritja e rasteve të konfirmuara është shoqëruar dhe me një shtim të pacientëve që marrin trajtim mjekësor në spitalet COVID. Drejtoresha e Spitalit Infektiv (COVID 1) Najada Çomo, tha se problematik, është fakti që mes të shtruarve është “rritur numri i moshave të reja, por jo vetëm, kemi forma të rënda të moshave të reja, shoqëruar dhe me humbje jete”. Dhe bëhet fjalë për mosha të reja të cilat nuk kanë patur sëmundje të tjera shoqëruese./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat