INSTAT fsheh të dhënat, 207 fatalitete në shkurt! Nuk publikohet raporti që zyrtarizon numrin e vdekjeve ekstra gjatë tremujorit të fundit 2020

Shqipëria

INSTAT fsheh të dhënat, 207 fatalitete në shkurt! Nuk publikohet raporti që zyrtarizon numrin e vdekjeve ekstra gjatë tremujorit të fundit 2020

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 13:28
Foto ilustrim

Në 12 shkurt të çdo viti, Instituti i Statistikave bën publike tabelën me treguesit demografikë për tremujorin që lamë pas, ku tregohen dy komponentët më të rëndësishëm të popullsisë: lindjet dhe vdekjet.

Zakonisht këto të dytat duhet të jenë disa më të paktë në krahasim me jetët e reja. Por këtë herë ka kaluar java dhe një armatë e tërë e INSTAT-it që punon me muaj për këtë raport nuk denjon ta publikojë atë. Interesi është i lartë për faktin se në nëntor-dhjetor, sipas asaj që thonë ekspertët e Komitetit Teknik, Shqipëria kaloi pikun e parë të pandemisë.

Ndërsa aktualisht shifrat po kalojnë pritshmëritë në janarshkurt, ku fatalitetet që raportohen çdo ditë janë me numra dyshifrorë. Deri në gjysmë të këtij muaji, mbi dyqind persona të infektuar me Covid kanë humbur jetën, duke e çuar numrin total të viktimave në 1600. Kjo referuar vetëm shifrave të qeverisë, e cila nuk regjistron si fatalitete Covid-i ata që humbin jetën pasi janë negativizuar, vdekjet në shtëpi apo gjetkë në spitalet e huaja. Vetëm raporti i INSTAT-it do të hidhte dritë mbi numrin e vdekjeve reale, siç edhe ndodhi në nëntor, ku numri i vdekjeve të papërcaktuara për korri-shtator rezultoi gati 5-fish më shumë se ai i raportuar zyrtarisht.

Ndryshe nga INSTAT që ka vendosur të shtojë hijet e dyshimit mbi transparencën e të dhënave për çdo ditë që e vonon, homologia e saj në Europë, EUROSTAT, flet pa drojë për një rritje të asaj që cilësohet vdekshmëri e tepërt, ose shtesa mbi mesataren e vdekjeve viteve të fundit. Kulmin e saj në Europë rezulton ta ketë në fazat e hershme të Covid-it me një rritje prej 25% krahasuar me mesataren e të njëjtit muaj përgjatë 2016-2019.

Në periudhën maj-korrik u regjistrua një nivel më i ulët i vdekshmërisë së tepërt, ndërsa një tjetër rritje e vdekshmërisë filloi në gusht-shtator me valën tjetër të pandemisë. Ky tregues u vu re përgjatë gjithë vitit në të gjithë Europën. Përveç Shqipërisë, e cila vijon të mbetet sekret. E vetmja e dhënë është informacioni nga Gjendja Civile, që flet për 28 mijë jetë të humbura, me një rritje prej 28%, krahasuar me mesataren e viteve 2015-2019. Shtesa e vdekjeve vlerësohet gjashtë mijë.

BILANCI DITOR

Shqiptarët po kalojnë ditë të zeza. Tetëmbëdhjetë viktima u shënuan në 24-orëshin e fundit të ditës që lamë pas. Një 31-vjeçar (që do të jetë në raportimin e sotëm) ishte viktima më e re e shënuar dje. Afro katër mijë testime kanë identifikuar 1075 raste të reja, ndërkohë që numri i atyre që kërkojnë trajtim spitalor gjithashtu shënon rritje.

“Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe në spitalet rajonale po trajtohen 585 pacientë, 37 në terapi intensive, nga të cilët 12 pacientë janë të intubuar. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 18 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 6 qytetarë nga Tirana, 3 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Durrësi, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Tropoja, 1 qytetar nga Përrenjasi, 1 qytetar nga Cërriku, 1 qytetar nga Kuçova, 1 qytetar nga Mallakastra, të moshave 39-84 vjeç”.

Tirana vijon të mbetet epiqendra e virusit duke mbajtur peshën më të madhe të rasteve, por harta e të infektuarve është e shpërndarë thuajse në çdo qytet. Pra, nuk është më kryeqyteti ai që mban shumicën e rasteve ditore të regjistruara. “Janë kryer 3901 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 1075 qytetarë.

Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 361 raste në Tiranë, 84 në Fier, 71 në Durrës, nga 46 raste në Vlorë, Librazhd, 42 në Kukës, 36 në Krujë, 35 në Kuçovë, 29 në Elbasan, 28 në Sarandë, nga 23 raste në Korçë, Gjirokastër, 19 në Shkodër, nga 18 raste në Mallakastër, Pogradec, 17 në Malësi të Madhe, nga 16 raste në Lezhë, Kamzë, 14 në Kurbin, 11 në Kavajë, nga 10 raste në Berat, Peqin, nga 9 raste në Pukë, Përmet, Gramsh, nga 8 raste në Mirditë, Dibër, Kolonjë, 7 në Has, 6 në Lushnjë, 5 në Vorë, 4 në Devoll, nga 3 raste në Mat, Vau i Dejës, Përrenjas, Cërrik, nga 2 raste në Tropojë, Delvinë, Tepelenë, Ura Vajgurore, Bulqizë, Skrapar, nga 1 rast në Rrogozhinë, Finiq, Patos, Poliçan, Këlcyrë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat