Do largoheni si kreu i PS po humbët zgjedhjet? Rama: S’flas me nëse, do fitojmë

Shqipëria

Do largoheni si kreu i PS po humbët zgjedhjet? Rama: S’flas me nëse, do fitojmë

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 23:34
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur mbrëmjen e sotme për investimet në Vlorë, projektet si dhe aktualitetin politik.

Rama u shpreh i bindur për fitoren më 25 prill teksa pyetjes nëse do largohet si kryetar i PS nëse humbet zgjedhjet iu përgjigj me një shprehje shqiptare.

“Ne kemi një shprehje për hallën dhe xhaxhain. Unë nuk di të flas me nëse… Unë di që do t’i fitojmë zgjedhjet”, – tha kryeministri.

I pyetur bilancin e mandatit të dytë, Rama tha se ai është një mandat i goditur në mes nga tërmeti dhe pandemia.

“Shumë parashikime që kisha u prenë prej tërmetit dhe pandemisë, por gjithsesi është i suksesshëm sa i përket menaxhimit të këtyre të dyjave. Ky mandat është mandat që më lë mua personalisht shijen e pakënaqësisë pasi kemi për të bërë shumë më tepër. Por të shohim nga u nisëm. Shqipëria që kemi sot nuk ka të krahasuar me atë që kishim para 7 vitesh”,– tha Rama.

Ai komentoi edhe kandidaturat e reja për deputetë të Partisë Socialiste në Vlorë. Rama konfirmoi se të sigurt do të jenë drejtuesit e qarqeve.

“A i kanë përmbushur pritshmëritë deputetët aktualë këtë duhet ta thotë populli i Vlorës dhe jo unë. Kandidaturat janë një proces që ka nisur prej një viti. Një gjë është e sigurt, që drejtuesit e qarqeve do të jenë deputetë.

Pastaj për pjesën tjetër pritet vlerësimi. Unë nuk kam asnjë vlerësim negativ për deputetët, por të gjithë mund të kishin bërë më shumë. Emrat e rinj nuk është çështje moshe por energjish. Mund të jesh shumë i ri si Ilir Meta, por mund të jesh dhe plak aq i lodhur. Por mund të jesh i vjetër si Alfred Moisiu, por mbetesh gjithmonë i ri”, – tha Rama në televizionin lokal “One TV Vlora”.

Duke komentuar kandidatët e PD dhe LSI, Edi Rama tha se sheh vetëm një ekip me katër vetë.

“Unë shoh vetëm Saliun, Ilirin, Lulzimin dhe Monikën. Të tjerët nuk i shoh si ekip por si mbushësa topi”, tha Rama.

I pyetur se kujt do t’i drejtohej për koalicion pas 25 prillit nëse do të kishte nevojë për të garantuar një mazhorancë, kryeministri u shpreh: Në do t’i fitojmë zgjedhjet siç fituam mandatin e dytë me mjaftueshmërisht mandate deputetësh për të udhëhequr Shqipërinë.

Pastaj se si do të gjendet rrugë bashkëpunimi mes forcave politike për të rritur cilësinë e bashkëjetesës, kjo duhet parë. Por koalicione nga halli nuk do të ketë” – tha Rama. Ai shtoi se e lehtëson fakti që Ilir Meta nuk do të bëjë kurrë koalicion me PS-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat