E majta shton demat për gratë shqiptare, e djathta ul prodhimin e qumështit dhe shton djathin

Shqipëria

E majta shton demat për gratë shqiptare, e djathta ul prodhimin e qumështit dhe shton djathin

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 16:24
Edi Rama

Ka një mënyrë të çuditshëme komunikimi nga kryeministri Rama kur del në terren për të shpërndarë çelësat e shtëpive të rindërtuara nga tërmeti apo atyre në proçes rindërtimi. Rama nuk e ka kursyer asnjëherë batutën për gazetarët apo kundërshtarët e tij politikë, por së fundmi e ka intensifikuar deri në  tallje, përbuzje dhe bullizim shakanë e tij.

Nuk u mjaftua me zonjën në Ndroq kur i dha lajmin se demin do ta sjellim për lopën jo për atë, por të njëjtën gjuhë tallëse e përdori edhe me të riun në Frakë.

Kur i riu e falenderoi për shtëpinë pasi ata kishin qenë familje e djathtë, duke i premtuar votën në një farë mënyre, kryeminstri nuk e kurseu talljen:’’ Ku merr vesh ti nga e djathta e nga e majta. Ti të djathtë e të majtë njeh vetëm këmbët e futbollit”.

Të ndalemi pak te e majta dhe e djathta në Shqipëri.

Në Evropë ndodh një këmbim rolesh dhe përzierje midis të majtës dhe të djathtës, por gjithsesi ruajnë një bosht ideologjik, si vija të kuqe që nuk kapërcehen. Ndërsa në Shqipëri, jo që nuk ka vija të kuqe, por partitë kanë treguar se për interesa personale të momenetit vetëm emrin kanë të majtë apo të djathtë.

Partia Socialiste e konvertuar në “Rilindje”, me filozofinë politike të kryeminstrit  Rama “përtej së majtës dhe të djathtës’’, nuk ka më personalitete dhe ideologjikisht është larguar nga programi i saj i majtë.

Njëjtë edhe me Partinë Demokratike, që është zëvendësuar me “Kopin”, ku Basha mori shkopin dhe i përzuri themeluesit dhe kontribuuesit kryesor.

 Ndërsa forca e tretë LSI-ja,që e quan veten të majtë, por për interesa të momentit kalon si lavjerrës, sa majtas djathtas për të shijuar frytet e pushtetit.

Kur Rama akuzon shqiptarët se nuk marrin vesh nga e majta dhe djathta, partitë politike e kanë shfaqur si anomali qysh me krijimin e tyre me rënien e komunizmit. Partia Demokratike propozoi në Parlament ligjin 7501 edhe pse ishte parti e djathtë dhe në programin e saj, e kishte që prona do shkojë te pronari legjitim.

Partia Socialiste që ishte e majtë, në programin e saj e kishte që prona të jepej në përdorim. Ky ligj që sot ka krijuar anomali dhe probleme të mëdha sociale, u miratua me votim unanim nga të dy krahët e politikës, me përjashtim të gjeniut të letrave shqipe Dritëro Agolli.

Që shqiptarët nuk marrin vesh nga e majta dhe e djathta ndoshta kryemisntri ka të drejtë. Për këtë ka kontribuar vet edhe ai.

Fakt është se E Majta shqiptare nuk ngjason me të majtën Evropiane. Kjo sepse e majta e modifikuar me emrin Rilindje, pothuajse i mungon demokracia e brendshme. E majta ndjek politikën e dyshimtë të  amnistive fiskale, për të cilën ka ngritur alarmin dhe FMN, rritja e rrogave, pa një studim; politikat e paqarta të PPP-ve, të gjitha e dërgojnë të majtën në një drejtim që nuk është majtas, për të mos thënë në një drejtim pa drejtim.  

Pyetja është çfarë e detyron Edi Ramën dhe të majtën e tij që të marr një risk kaq të madh duke tallur shtresat sociale, ato mbi të cilat  ngre premtimet se do ti përfaqësojë.

Duke shfrytëzuar lidershipin e dobët të PD-së, ushqen debatin në publik se në këtë vend nuk ka as të majtë as të djathtë, se më të mirë se ai nuk ka.

E thënë ndryshe duke i mëshuar shprehjes ”po iku ai kush do vijë? ”, çon ujë në mullirin e vet për mandatin e tretë.

Qëllimi?

Të rritet indiferentizmi i votuesve. Me shumë mundësi zgjedhjet e 25 prillit do të vendosen nga ata që nuk votojnë.

 Votimi nuk është një e drejtë. Është metoda e përdorur për të përcaktuar se cili politikan është më i miri për t’ju shplarë trurin, qoftë edhe me batuta.

Kështu, do preferoja të votoj për mashtruesit që janë në pushtet, nëse nuk do të na tallnin, sesa për ata që do të bëhen mashtrues pasi ta marrin atë.

25 prilli është afër dhe nëse Partia Demokratike me programin e saj ul prodhimin e qumështit dhe rrit prodhim  e djathit, Partia Socialiste shton demat për gratë e shqiptarëve, sepse ende nuk ka prezantuar një program.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat