Drama e një nate pa televizion e facebook, apo e humbjes së elektricistëve!

Shqipëria

Drama e një nate pa televizion e facebook, apo e humbjes së elektricistëve!

Nga: Jak Simoni Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 18:18
Jak Simoni

Para shumë kohësh, kur shikonim filmin Në pyjet më borë ka jetë të aktorit të pavdekshëm  Rikard Ljarja, nuk  e mendonim se drama e humbjes së jetës për të siguruar komunikimin e njerëzve  do të ishte aktuale për dekada me radhe e deri sa komunikimi të përhapej me internet.

Vërtetë, po të  dihej se çfarë do të ndodhte, jo një fshat por gjithë qarku i Gjirokastrës, e për mendimin tim (besoj dhe të drejtuesve të OSHEE në qark), e  gjithë Shqipëria do të qëndronte një natë pa drita, por humbja e jetës  së dy elektricistëve në mes të natës,  nuk  mund të  përcillet si lajm i zakonshëm pa u indinjuar dhe pa përgjegjësinë e askujt. Ndonëse, krahasuar me vite  më parë, ku për të mbuluar humbjet ose për t’i futur vetë  në xhep, të vidhnin me faturat A.f., vitet e fundit OSHEE ka përmirësuar ndjeshëm furnizimi me energji dhe funksionimin e këtij institucioni, humbjet ne jetë njerëzish  janë mjaft të larta, saqë nuk mund të justifikohen me shprehjen: “çmimi i furnizimit 24 orë me energji elektrike”. 

 A thua dhe shtetet tjera  e kanë paguar aq shtrenjtë sa ne! Vetëm  këto vitet e fundit  janë  me dhjetëra raste që bëjnë tepër të lartë këtë çmim dhe nuk janë vetëm elektricistë.  Vetëm  këto vitet e fundit kanë humbur jetën në detyrë disa elektricistë, si në Pukë, Peshkopi, Tiranë etj. Ka pasur  dhe fëmijë që kanë gjetur vdekjen duke renë në kontakt me rrymën elektrike, ndërsa dërgonin bagëtitë për të pirë ujë në lum, apo duke luajtur; si vitin e kaluar në parkun e Beratit “zbukuruar” nga të mëdhenjtë për festa.  Të gjitha këto janë  pakujdesi, apo vrasje nga pakujdesia! Patjetër  se puna e  elektricistëve,  e muratorëve, e minatorëve (me sa e sa jetë  të humbura) dhe e shumë të tjerëve kanë rrezik për jetën, por rasti në fjalë të bën të reflektosh për mënyrën se si mund të evitohen drama të tilla. Po të punohet ditën për mirëmbajtjen e rrjetit, të mbetet  më pak pune për natën dhe po të punohet në verë për përmirësimin e rrjetit, tashmë mjaft të amortizuar,  të ngelet më pak punë në dimër.  

Është shumë e lehtë të gjesh zgjidhje pas fatkeqësisë, por për rastin në fjalë, një natë një fashat mund të qëndronte dhe  pa drita, kur riparimi ishte problematik dhe i rrezikshëm.  Apo ishte e pamundur sepse kemi krijuar një stil  jete në fashat dhe në qytet, ku humbja e jetëve nuk përbën dramë, por në mënyrë paradoksale, dramë është te mos kesh një natë dritë, të mos hysh në facebook, apo istagram (d.m.th të mos komunikosh, siç e përmendëm në fillim), të mos shohësh emisione (shume prej tyre nuk ja vlen t’i shohësh fare) në televizion. Akoma më paradoksal është fakti se ndoshta  ata elektricistë e humben jetën, qe disa fshatarë të asaj zone të vjedhin energjinë që zakonisht telefonojnë të parët (konkretisht për zonën nuk di asgjë, por të dhënat zyrtare për humbjet në rrjet tregojnë vjedhjen qe kryhet), fenomen që vetëm sa filloi para pak vitesh të luftohej dhe u la për të mos i prishur qejfin një numri të madh të njerëzve, por që fatmirësisht nuk është shumicë.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat