Humbi jetën nga Covid-19, mjekja e spitalit tregon e përlotur fjalët e fundit të 17-vjeçarit

Shqipëria

Humbi jetën nga Covid-19, mjekja e spitalit tregon e përlotur fjalët e fundit të 17-vjeçarit

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 20:02
Qamil Seiti

Në fillim të kësaj jave në vendin tonë u shënua një nga viktimat më të reja në moshë nga Covid-19. 17-vjeçari, Qamil Seiti humbi betejën me virusin në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku qëndroi për 4 ditë i intubuar.

Shefja e Reanimacionit tek COVID-2, Alma Cani, e ka cilësuar rastin e 17-vjeçarit si një nga më të vështirët dhe ka treguar se si ka qenë gjendja e të ndjerit kur arriti në spital. Në një intervistë për “Abc News” ajo është shprehur se i riu ishte trajtuar prej më shumë se 10 ditësh në shtëpi dhe se në spital ka shkuar në një gjendje të avancuar të sëmundjes.

“Trajtoheshin më tepër se dhjetë ditë në shtëpi. Fatkeqësisht djali erdhi në situatë të avancuar, rezultonte me analizat që bëmë dhe skanerin që tregonte se prekja e mushkërive ishte 100%. Nuk kishte mushkëri që të merrte frymë. Ndoshta dhe ardhja me vonese ishte pjesë e kësaj drame”, ka thënë mjekja.

E përlotur ajo ka rrëfyer edhe fjalët e fundit të adoleshentit.

“Megjithë përpjekjen që ne bëmë me shpirt, asistencat që u bënë në të gjitha drejtimet dhe ato fjalët e atij djali që më janë ngulitur mua dhe jo vetëm, por të gjithëve këtu: O teta më falni se ju lodha. E kuptonte dhe vetë që ne po përpiqeshim për t’i dhënë jetë, por ishte e pamundur”, ka treguar shefja e Reanimacionit tek “Shefqet Ndroqi”.

Ndërkohë në spital vijon të jetë i shtruar edhe babai i 17-vjeçarit të ndjerë. Mjekja ka thënë se atij nuk i kanë treguar ende asgjë për humbjen e të birit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat