Zgjedhjet/ Kryemadhi: Në listën e PD vetëm kandidati i LSI në Kukës

Shqipëria

Zgjedhjet/ Kryemadhi: Në listën e PD vetëm kandidati i LSI në Kukës

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 15:18
Monika Kryemadhi

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur mbi mënyrën sesi opozita e bashkuar do të hyjë në lista. Në një intervistë për A2 CNN, Kryemadhi tha se LSI do të fusë kandidatin e saj në listën e PD vetëm në qarkun e Kukësit. Hajri Laçi nuk mund të hyjë në listën e PD tha ajo për shkak se duhej një femër dhe Vangjel Tavo do të garojë me listën e LSI.

Pyetje; Znj. Kryemadhi, kur shohim bashkëpunimet tuaja, taktika elektorale që keni llogaritur dhe që janë të hapura disa qarqe, dy ose tre prej tyre, ku do të fusni kandidatët tuaj në listat e Partisë Demokratike…?

Kryemadhi: Ishte në diskutim qarku i Gjirokastrës dhe i Dibrës dhe Kukësi. Ne kemi lënë vetëm Kukësin , sepse në Qarkun e Gjirokastrës vetë Partia Demokratike mori përsipër duke thënë që e marrin mandatin vetë. Ndërkohë që edhe z. Tavo sigurisht që e merr mandatin, madje mund të merrnin edhe një mandat të dytë, prandaj Rama ia hoqi mandatin e pestë Gjirokastrës, pasi kishte frikë se mos e merrte LSI dy mandate. Ndërsa në Qarkun e Dibrës kandidati ynë kryesor që është Dr. Hajri Laçi duhet të ishte një femër për listën e PD-së që të hynim në një listë të përbashkët, kështu që ne automatikisht jemi të detyruar që të dalim me listë me vete. Mandati i Dibrës është një mandat i konsoliduar, pasi kujtojmë që në 2017-n LSI kishte kundër PDIU-në, Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste.

Pyetje: Znj. Kryemadhi, po flitet për një ndarje tashmë mes jush dhe Partisë Demokratike…

Kryemadhi: Ky është një maksimizim vote. Nuk është ndarje, por përkundrazi është një bashkim. Është bashkim identitetesh. Pra, bashkohen sot të gjitha strukturat dhe bindjet politike në një front, i cili tashmë fillon dhe formalizohet nëpërmjet listave të Partisë Demokratike me aleatët e saj, listët e Lëvizjes Socialiste për Integrim me identitete dhe personalitete që i përfshihen kësaj liste për të ecur dhe për të zhvilluar 58 ditët e fundit të fushatës zgjedhore, që na ndajnë nga 25 prilli. Ka mbaruar koha që njerëzit duan të përfitojnë në kurriz të logos së partisë politike, në kurriz të logos së koalicionit. Sot njerëzit duhet të shkojnë të përfaqësojnë vlerat e tyre.

Pyetje: Znj. Kryemadhi ju dhe PD po prezantoni alternativat tuaja përsa i përket programeve elektorale. A mendoni ju se do duhet të harmanizoni këto programet tuaja dhe a po punohet në këtë drejtim?

Kryemadhi: Në thelb janë të njëjta. Patjetër që do të harmonizohen dhe që është punuar, dhe shumë shpejt do të njiheni me to. Ne nuk ndahemi në asnjë pikë me Partinë Demokratike, ne kemi një pikë të përbashkët: largimin e Edi Ramës, rikthimin e normalitetit, rikthimin e sundimit të ligjit, rikthimin e një klime biznesi të favorshme për të thithur dhe ftuar edhe investitorët vendas dhe të huaj, rikthimin e të rinjve dhe të rejave në Shqipëri, krijimin e vendeve të punës me paga të mirëpaguara, rritjen e pensioneve, rritjen e pagave, rritjen e investimeve. Po ti shikoni programet tona janë pak a shumë e njëjta gjë, pavarësisht metodologjisë se si thuhen, janë e njëjta gjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat