Forcat e Armatosura do të angazhohen në vaksinimin masiv të popullsisë

Shqipëria

Forcat e Armatosura do të angazhohen në vaksinimin masiv të popullsisë

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 15:39
Forcat e Armatosura

Mjekët dhe infermierët në uniformë, përfshirë logjistikën e Forcave të Armatosura, do të angazhohen për vaksinimin masiv të popullsisë kundër Covid-19.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nga qyteti i Korçës, ku nisi edhe vaksinimi për personelin shëndetësor të këtij qarku.

“Kemi sinjale shumë të forta që Shqipëria do të jetë një nga vendet e para në rajon, shpresoj, që do ta sigurojë vaksinimin masiv. Që do të sigurojë vaksina për të gjithë popullsinë. Forcat e Armatosura do të jenë në funksion të vaksinimit intensiv, masiv”.

“Ne kemi brenda strukturës sonë rreth 100 infermierë, kemi shumë qendra që mund t’i hapim në çdo bashki, në çdo qytezë, apo fshatra të mëdha në rast se do të gjykohet të ngrihet një sistem i tillë. Kemi personel mjekësor, infermierë, mjekë, mjete transporti. Të gjitha këto do të jenë në funksion të vaksinimit intensiv”, deklaroi ministri Peleshi.

Plani dhe synimi i qeverisë për të vaksinuar të gjithë popullsinë brenda 14 muajve, sipas ministrit, ngarkon me përgjegjësi çdo institucion që ka mundësi të kontribuojë për arritjen e këtij objektivi.

Peleshi, bashkë me deputetin Ilir Pendavinji dhe shefen e Departamentit të Epidemiolgojisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Dr.Silva Bino, ndoqën nga afër nisjen e procesit të vaksinimit të personelit shëndetësor të qarkut të Korçës.

Dr. Silva Bino bëri të ditur se brenda 2 ditësh synohet të vaksinohen rreth 500 mjekë, infermierë, stomatologë dhe personel shëndetësor ndihmës në të gjithë qarkun e Korçës.

Procesi i vaksinimit të personelit shëndetësor vazhdon në Tiranë. Sipas kryeministrit Edi Rama, brenda gjysmës së parë të marsit, do të përmbyllet procesi për gjithë personelin shëndetësor.

Qendra janë hapur edhe në: Shkodër, Vlorë, Kukës, Berat dhe Elbasan.

Për sa i përket totalit, mbi 11 mijë qytetarë janë vaksinuar deri tani me dozat e Pfizer-it.

Përfundimi tërësor i procesit pritet të jetë pas 14 muajsh, sipas planit të qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat