“Kudo në Elbasan shoh mjerim e varfëri”, Bardhi: Dyfishojmë ndihmën ekonomike

Shqipëria

“Kudo në Elbasan shoh mjerim e varfëri”, Bardhi: Dyfishojmë ndihmën ekonomike

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 15:29
Gazment Bardhi

Drejtuesi politik i PD në Elbasan, Gazment Bardhi vijon takimet me familjet elbasanse.

Numri dy i selisë blu ishte në disa familje, që jetojnë më skamje dhe pa asnjë ndihmë të vërtetë nga qeveria.

Gëzim e File Lulja, banojnë në lagjen Vullnetari dhe blejnë me listë. Pa punë, pa ndihmë. Janë zhytur në borxhe dhe mezi ja dalin të shlyejnë detyrimin për dritat.

Arben Kabashi banon në lagjen 5 Maji, dhe ka vështirësi të mëdha, me të birin me probleme shëndetësore. Për këtë merr një kemp 100 mijë lekë në muaj. Dëshiron të punojë, por nuk gjendet një mundësi. Kushtet e jetesës janë të mjerueshme.

Në banesën e Nadires, në bodrumin e një pallati në lagjen “Beqir Dardha” pranë Stadiumit, përmes një televizioni të vjetër ka mbërritur propaganda, po asnjë nga mrekullitë e rilindjes. 65 vjeçarja jeton me të bijën e dy mbesat në kushte të rënda. Qeveria e Edi Ramës i jep 20 mijë lek të vjetra në muaj, dhe i faturon 30 mijë lekë drita. Bashkia nuk i ka shkuar për t’u kujdesur. Kjo është gjendja e një pjese të mirë të popullsisë në Elbasan, e asaj që fshihet nga retorika 8 vjeçare e qeverisë.

Gazment Bardhi i siguroi familjarët se programi i PD i përgjigjet realitetit dhe ofron zgjidhje.

“Kudo në Elbasan shoh mjerim dhe varfëri, prandaj na duhet ndryshimi në 25 Prill, që të kemi mundësi të jemi përkrah prindërve në nevojë. Do ta keni përkrah qeverinë. Nuk mund të jeni vetem! Qeveria nuk mund të jetë krah 10 njerëzve që fusin lekët e shqiptarëve në xhep dhe kanë braktisur 3 milionë të tjerë. Edi Rama na premtoi 300 mijë vende pune, por i mbylli ato dhe hoqi njerëzit nga ndihma ekonomike. Ne do ta dyfishojmë ndihmën ekonomike, që jeta për atë që nuk gjen dot një punë të mos jetë kaq e vështirë sa sot. Na duhet mbështetja juaj që pas 25 prillit të keni qeverinë në krah”- tha Gazment Bardhi ne takimet me familjet në nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat