Edmond Haxhinasto: LSI do të marrë rezultat surprizë më 25 prill

Shqipëria

Edmond Haxhinasto: LSI do të marrë rezultat surprizë më 25 prill

Më: 3 mars 2021 Në ora: 21:05
Edmond Haxhinasto

Edmond Haxhinasto, ish-zv.kryeministër dhe funksionarë i lartë i Lëvizjes Socialiste për Integrim thotë se më 25 prill, LSI do të marrë rezultat “surprizues” por pa bërë një parashikim për numrin e mandateve.

“Gjithçka bazohet tek cilësia e kandidatëve, puna por edhe nga një moment i ri politik nga një frymë  e gjerë që është për rrotacionin politik më 25 prill. Pritshmëritë janë surprizuese. Rezultati do të kalojë pritshmëritë e të gjithëve për sa i përket një fitoreje shumë të qartë të 25 prillit”, deklaroi ish-ministri i Jashtëm.

Z. Haxhinasto foli për një marrëdhënie të harmonizuar me Partinë Demokratike, forcë me të cilën ka qeverisur në periudhën 2009-2013.

“Kemi një koherencë dhe përputhshmshmëri në shumë çështje programore dhe politikat tona zgjedhore”, tha ai.

Ndërsa për akuzat e kryeministrit Edi Rama, z. Haxhinasto u shpreh se qëllimi është diversion.

“Është diversion i pastër për të krijuar një ide të rreme në opinionin publik që me Bashën mund të bëj marrëveshje. Opozita është shumë solide, asgjë e tillë nuk ndodh pas zgjedhjeve”, deklaroi ish-deputeti i LSI.

Edmond Haxhinasto shtoi se LSI ka treguar se u qëndron marrëveshjeve si në qeverisjen me PD ashtu edhe në bashkëqeverisjen me PS në mandatin 2013-2017.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, kur LSI dhe PS garuan në një koalicion LSI arriti të sigurojë 16 mandate deputetësh. Ndërsa në zgjedhjet e fundit të 2017, LSI mori 19 mandate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat