Ministria e Brendshme shpërndan paratë e krimit, miliona për SPAK dhe OJF të ndryshme!

Shqipëria

Ministria e Brendshme shpërndan paratë e krimit, miliona për SPAK dhe OJF të ndryshme!

Më: 4 mars 2021 Në ora: 12:11
Foto ilustrim

Ceremonia e firmosjes së kontratave me OJF-të e shpallura fituese të projekteve, që financohen nga para të konfiskuara nga krimi, me vendim të Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar

Ministria e Brendshme ka zhvilluar mbledhjen e Komitetit Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar. Në nisje të mbledhjes u firmosën kontratat mes Drejtorit të Agjencisë AAPSK dhe subjekteve përfituese, ndër të cilat Policia e Shtetit dhe SPAK.

Fondi i posaçëm në dispozicion për t’u përdorur nga subjektet përfituese është 90 milion lekë, prej të cilit pjesën kryesore e morën Policia e Shtetit dhe SPAK. Gjithashtu, përfituese të projekteve ishin edhe 7 OJF, ndër të cilat Fondacioni “Gjurmë” i fëmijëve të punonjësve të policisë të rënë në detyrë.

Fondet e përfituara, falë luftës kundër krimit të organizuar, rrjedhin nga asetet dhe të ardhurat te grumbulluara nga AAPSK (Agjencia e Administrimit të Pasurive dhe Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara), drejtuesi i së cilës nënshkroi kontratat përkatëse me subjektet përfituese.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, rreth 80% e këtij fondi ka shkuar në favor të institucioneve ligjzbatuese, pra Policisë së Shtetit dhe SPAK, dhe 20% e tij, në vlerën gati 18.6 milion lekë, kanë shkuar për OJF-të.

Fondi i përcaktuar për Policinë e Shtetit ishte në vlerën e 41.081.542,9 lekë, e cila do të shkojë për projektin “Për blerjen e pajisjeve të rrjetit kompjuterik dhe trajnimin e administratorëve të sistemit, për zhvillimin e kapaciteteve të sistemit të menaxhimit të informacionit kriminal”.

Ndërsa fondi i SPAK ishte në vlerën e 30.241.187 lekëve ka shkuar për këtë institucion, “Për blerjen e pajisjeve dhe programeve në funksion të sektorit të ekspertizës”, një projekt shumë i rëndësishëm për ta, ashtu edhe siç është prezantuar në këtë Komision dhe që patjetër do t’i shërbejë luftës kundër krimit të organizuar.

Ndërkohë një tjetër institucion ligjzbatues, i cili ka përfituar nga ky fond është edhe “Qendra Kombëtare Pritëse e Viktimave të Trafikimit”, në shumën 3.4 milionë lekë të reja.
Përfituese nga ky fond sipas vendimit të Komitetit janë:
– Subjekti “Gjurmë”, në shumën 5 milion lekë në përputhje me projektin “Për rehabilitimin e familjarëve të efektivëve të rënë në detyrë”;
– Subjekti “Vatra” në shumë 2.280.000 lekë në përputhje më projektin “Asistencë direkte për fuqizimin social dhe ekonomik të viktimave apo viktimave të mundshme e çdo forme të dhunës”;
– Subjekti “ARSIS” në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë, në përputhje me projektin “Shërbime emergjence dhe rehabilituese, reintegruese për fëmijët, të rinjtë, dhe nënat viktima të trafikut”, pranë Qendrës multifunksionale “Shtëpia e Ngjyrave” në Bashkinë Tiranë;
– Subjekti “Të Ndryshëm dhe të Barabartë”, në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë, në përputhje me projektin “Asistencë për identifikim proaktiv dhe ofrimin e shërbimeve riintegruese, gjithëpërfshirëse”, të viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit në Shqipëri;
– Subjekti “Aksion Plus” në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë në përputhje me projektin “Shërbime efektive për individët përdorues të drogave”;
– Subjekti “CATI” në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë, në përputhje me projektin “Rehabilitimi dhe fuqizimi social i viktimave të trafikimit përmes integrimit dhe punësimit”;
– Subjekti “SIG” në po të njëjtën shumë 2.280.000 lekë, në përputhje me projektin “Bashkë për komunitete të qëndrueshme dhe komunikim”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat