Manjani: Në kulmin e saj PS mori 7 mandate në Elbasan, e pamundur të marrë 8 në rënie

Shqipëria

Manjani: Në kulmin e saj PS mori 7 mandate në Elbasan, e pamundur të marrë 8 në rënie

Më: 1 prill 2021 Në ora: 23:03
Ylli Manjani

Gjatë diskutimeve në Barometrin Politik nëse PS do të marrë 8 mandate në Elbasan, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani u shpreh se kjo është e pamundur të ndodhë, pasi Partia Socialiste është në rënie.

Ai theksoi se akoma edhe kur PS ishte në kulmin e saj politik, në zgjedhjet e 2017-tës, në Elbasan arriti të merrte shtatë mandate dhe jo tetë.

“Kulmin e vet politik PS e ka pasur në 2017-të dhe në kulmin e vet politik në Elbasan në 2017-tën ka marrë shtatë mandate. Tani që është në rënie, të marrë tetë mandate, unë këtë nuk e besoj. S’ka logjikë”, u shpreh z. Manjani.

Ylli Manjani në lidhje me parashikimin se PD mund të marrë gjashtë mandate në qarkun e Elbasanit shtoi se në këto zgjedhje, ndryshe nga zgjedhjet e 2017-tës, të gjashtë këto mandate PD do i marrë vetë dhe jo së bashku me parti të tjera.

“Nga ana tjetër, edhe shtatë me shtatë nuk është arritje për opozitën. Gjashta e PD-së është e PD-së sepse struktura e votave të opozitës së 2017-tës ishte dy PDIU, dy LSI, tre PD ku ata të PDIU shkuan te Rama dhe ndryshuan të gjithë balancën politike në vendimmarrje”, tha ish-ministri i Drejtësisë.

Për LSI-në z. Manjani tha se në qarkun e Elbasanit do të marrë minimalisht një mandat.

“LSI minimalisht një mandat e merr, sepse nga 23.500 vota në 2017-tën ka mbetur diçka përtej konsumit, rënia me një mandat është rënie e madhe, me 50% por jo nga dy mandate në zero”, u shpreh z. Manjani.

Kurse në qarkun e Fierit, ish-ministri tha se Partia Socialiste nuk merr më shumë se 10 mandate.

“PS nuk ka shans të marrë 11, në kulmin e saj ka marrë 10. LSI do ketë një mandat. PS do jetë parti e parë, por jo me këtë diferencë. Nuk e kalon dhjetën sipas pikëpamjes time”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat