“…O Afrim më vranë…”/ Klithmat e policit që mbeti i plagosur nga tre vëllezërit në Berat

Shqipëria

“…O Afrim më vranë…”/ Klithmat e policit që mbeti i plagosur nga tre vëllezërit në Berat

Më: 19 prill 2021 Në ora: 18:34
Foto

Plagosja e një efektivi policie në Berat, ka çuar në pranga tre vëllezërit Arjan Marini, Marjus Marini dhe Gerald Marini. Ngjarja e rëndë është shënuar në 14 prill 2021, kur dy punonjësit e policisë kanë shkuar në një banesë për ti ardhur në ndihmë çiftit të bashkëshortëve Albert dhe Olta Mema, të cilët ishin dhunuar brenda në banesën e tyre nga tre vëllezërit.

“Ora News”, siguron eksluzivisht dinamikën e kësaj ngjarje që fatmirësisht nuk përfundoi me viktima me njerëz. Sipas dosjes hetimore, policia e Beratit në orën 20:30 të datës 14 prill, ka marë një telefonatë në sallën operative, nga bashkëshortët Albert dhe Olta Mema. Këta njoftuan policinë se në ambjentet e shtëpisë së tyre, ishin keqtrajtuar fizikisht nga vëllezërit Marini.

Pas kësaj telefonate në vendgjarje kanë shkuar efektivët e policisë dhe pasi morën kontakt me të dëmtuarit, janë afruar në banesën e vëllëzërve Marini, që ndodhej në anën tjetër të rrugës. Policët kanë marë kontakt me tre vëllezërit Arjan, Marjus dhe Gerald Marini, duke i kërkuar që të shoqëroheshin në ambjentet e komisariatit, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Por dy policët e patrullës, kanë hasur në kundërshtimin verbal dhe me forcë të tre vëllezërve.

Tre vëllezërit kanë filluar të shajnë dhe ofendojnë në drejtim të punonjësve të policisë dhe kanë filluar të përleshen me ta.

Në këtë përleshje, thotë policia e Beratit, është përfshirë dhe vëllai i tyre, Armand Marini, i cili është i sëmurë mendor. Gjatë përplasjes fizike, është dëgjuar një krismë si e mbytur dhe efektivi i policisë Julian Xhalili, ka bërtitur “…O Afrim më vranë…”.

Menjëherë pas kësaj situate, përgjegjësi i grupit Afrim Rama është afruar dhe ka parë punonjësin e policisë Julian Xhalili, gjysëm të shtrirë dhe ka zgjatur dorën në rrëmujë e sipër në errësirë dhe ka marë një armë pistoletë. Arma e marë prej efektivit të policisë ka qënë e markës “Glock” dhe i përket armatimit personal të policit. Tashmë kjo pistoletë është sekuestruar dhe bashkë me të dhe 14 plumba në krëhër.

Pas këtij moment janë arrestuar tre vëllezërit Arjan, Marjus dhe Gerald Marini, të cilëve u janë marë faktorë plotësues në duar, për të mësuar nëse ndonjëri prej tyre ka qëlluar me pistoletë. Të tre vëllëzërit janë marë në pyetje mbi rrethanat e ngjarjes por kanë refuzuar të japin shpjegime deri në këtë fazë, ku ndodhet çështja.

Ndërsa punonjësi i policisë i plagosur në dëshminë e tij ka treguar se është i paqartë se kush nga tre vëllezërit ja ka marë armën e shërbimit dhe e ka qëlluar, pasi zona ku janë konfliktuar ka qënë errësirë.

Dyshimet janë se ka mundësi që efektivi i policisë të jetë vetëplagosur aksidentalisht, gjatë momentit të përleshjes me tre vëllezërit.

Aktualisht tre vëllezërit janë arrestuar dhe gjykata e Beratit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për akuzën e “Plagosjes së rëndë me dashje” dhe “Kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit publik”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat