​Zgjedhje me shumë risi në Shqipëri, KQZ: Jemi gati!

Shqipëria

​Zgjedhje me shumë risi në Shqipëri, KQZ: Jemi gati!

Më: 24 prill 2021 Në ora: 11:50
Zëdhënësja e KQZ-së së Shqipërisë, Drilona Hoxhaj

Rreth 3,588,869 persona me të drejtë vote në Shqipëri nesër do të kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë. Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.

Reforma zgjedhore ka përcaktuar ndryshime të rëndësishme në procesin e votimit si dhe ka përfshirë kufizime dhe sanksione të reja për të mundësuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Zëdhënësja e KQZ-së së Shqipërisë, Drilona Hoxhaj, deklaroi se tashmë janë marrë të gjitha masat që dita e nesërme të shkojë mbarë dhe qytetarët të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre me votë.

Hoxhaj: Janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë mbarë

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat që ditën e nesërme të jetë çdo gjë në rregull në mënyrë që votuesit të kenë mundësi të shprehin vullnetin e tyre me votë. Gjatë këtyre ditëve ashtu siç është vënë re në komunikimet e vazhdueshme të KQZ-së e specifikisht të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve është shpërndarë baza materiale që ka qenë me disa faza në këto zgjedhje. Janë shpërndarë kamerat, më pas janë shpërndarë dhomat e fshehta dhe në fund fare u shpërndanë edhe pjesa tjetër e materialeve zgjedhore që përfshin fletëvotimin, libër protokollin, kodet e sigurisë, kutitë e materialeve zgjedhore e të tjera. Në çdo qendër votimi janë marrë masa që të jenë të gjitha ato që duhen edhe në kuadër të masave anti-COVID”, deklaroi Hoxhaj.

Identifikimi elektronik është një nga risitë e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri. Kjo do të aplikohet në të gjithë vendin, ndërsa do të parandalojë edhe mundësinë për votim të dyfishtë.

Votuesi shqiptar do të duhet që të identifikohet duke e kaluar kartën e identitetit ose pasaportën biometrike tek pajisja. Kjo pamundëson edhe votimin numër të dikujt tjetër. Në momentin që shenja e gishtit nuk përputhet me kartën e identitetit atëherë pajisja do të lëshojë edhe një sinjal akustik që do të alarmojë të gjithë komisionerët në vendvotim.

Hoxhaj: Risi identifikimi elektronik

“Risi për këtë vit është identifikimi elektronik. Në këto zgjedhje të gjithë qytetarët do të kenë mundësinë që të identifikohen përmes pajisjes së identifikimit elektronik, çka do të thotë karta e identitetit apo pasaporta biometrike do të kalojë në momentin që zgjedhësi paraqitet në qendrën e votimit. Pajisja e identifkimit elektronik evidenton tentativat për votim të dyfishtë nga ana e zgjedhësve, po ashtu evidenton rastet që një person tjetër paraqitet për të votuar për dikë tjetër, praktikisht jo vetëm me atë çfarë pajisja evidenton dhe sinjalin që jep në momentin që kjo ndodhë, por edhe me sinjalin akustik që dëgjohet edhe nga ana e anëtarëve të komisionit të qendrës së votimit dhe vëzhguesve të tjerë aty. Praktikisht qytetarët nuk duhet të guxojnë të votojnë për herë të dytë apo ne emër të dikujt tjetër”, vijoi Hoxhaj.

Për herë të parë në Shqipëri do të jetë edhe votimi elektronik. Ky do të jetë një projekt-pilot vetëm në një zonë zgjedhore e cila përkon me njësinë administrative nr. 10 në Tiranë. Në të gjitha zonat e tjera të votimit në vend do të zbatohet votimi dhe numërimi manual.

Për më shumë se 15 ditë votuesit e kësaj njësie kanë pasur mundësi që të testonin votimin elektronik në një qendër të improvizuar votimi.

Hoxhaj: Pilotojmë votimin dhe numërimin elektronik në një zonë zgjedhore

“Një tjetër risi e këtij procesi zgjedhor është projekti pilot i votimit dhe numërimit elektronik. Projekt i cili do të zbatohet dhe do të implementohet në zonë administrimit zgjedhor numër 40, ose siç njihet ndryshe si njësia numër 10 në Tiranë, edhe në këtë rast KQZ ka bërë të pamundurën dhe është marrë çdo masë që ky proces, ky projekt-pilot të realizohet me sukses. Ne për më shumë se 15 ditë kemi pasur në shkollën 'Qemal Stafa' të hapur të gjithë qendrën e votimit të improvizuar në mënyrë që të gjithë qytetarët e njësisë 10 ditë pas dite mund të shkonin dhe të provonin, ta testonin pajisjen, dhe të ambientoheshin me procedurat e votimit elektronik. Pajisja është shumë e thjeshtë në ndërveprim me qytetarët kështu që besojmë që edhe aty procesi do të jetë po aq mirë dhe nuk do të kemi asnjë problematikë”, u shpreh ajo.

Tjetër risi do të jenë kamerat në çdo qendër votimi. Kamera me rezolucion të lartë do të instalohen në çdo qendër votimi. Në rast problematikash ato do të jenë një provë e mëtejshme për garantimin e sigurisë së procesit dhe ndjekjen e incidenteve.

Hoxhaj siguroi se kjo në asnjë mënyrë nuk do të cenojë fshehtësinë e votës pasi do të jenë të instaluara në anën e kundër me atë të votuesit.

Hoxhaj: Kamerat garanci për integritetin e procesit të votimit

“Tjetër risi edhe garanci për integritetin e procesit të votimit është edhe monitorimi i qendrave të votimit. Në asnjë mënyrë nuk cenon fshehtësinë e votës sepse kamerat monitoruese do të jenë në pozicion të kundërt me atë të votuesit dhe nuk do të ketë pamjen apo mundësinë që të mund të filmojë mënyrën se si shprehen qytetarët me votë, por do të jetë një garanci për mënyrën dhe të gjithë veprimin që kryen në qendrën e votimit dhe në rast se një nga subjektet zgjedhore apo dikush tjetër mund të ketë dyshim, kamerat monituruese dhe regjistruese në qendrat e votimit janë një garanci shtesë, konsiderohen material zgjedhor të cilat janë në pronësi të KQZ dhe nuk shpërndahen në palët e treta në asnjë mënyrë, por në rast të një ankimimi sipas procedurave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor atëherë kemi mundësinë që të verifikojë çfarë ka ndodhur në qendër votimi”, tha Hoxhaj.

Ndryshe nga Kosova, të prekurit më COVID nuk do të kenë mundësi që të votojnë. Kodi Zgjedhor në Shqipëi kërkon që votuesi të paraqitet fizikisht në qendrën e votimit dhe nuk parasheh ekipe mobile.

Hoxhaj thotë se KQZ nuk ka çfarë të bëjë në lidhje me këtë situatë pasi kështu përcaktohet me Kodin Zgjedhor.

Hoxhaj: Personat me COVID nuk mund të votojnë

“Kjo është një çështje shumë e diskutuar megjithëse nuk është në kompetencën e KQZ diçka që nuk e ka vendosur Kodi Zgjedhor. Kodi Zgjedhor në Shqipëri ka përcaktime të tilla që thotë se ti duhet të paraqitesh në qendrën e votimit e cila nuk është e lëvizshme siç në rastin konkret ndodhë në Kosovë. Ndërsa, përsa i përket hapjes së një qendre votimi të posaçme siç ne e quajmë që janë në ambientet e institucioneve të ekzekutimit të veprave penale, ndryshe burgjet, apo në ndonjë nga spitalet, në këtë rast prevalon shëndeti i qytetarëve apo qoftë edhe i komisionerëve sepse praktikisht hapja e një qendre votimi në një ambient ku ka të prekur me COVID dhe që kurohen për COVID ndërkohë që kemi akte të tjera ligjore që thonë se personat që janë me COVID duhet të jenë të izoluar në mënyrë që të parandalojnë përhapjen. Në këtë rast ne nuk mund të bëjmë asgjë”, deklaroi Hoxhaj.

Në këto zgjedhje do të votohet sipas sistemit proporcional me konkurrim rajonal, por duke përcaktuar një prag të ri kombëtar. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar prej 1% të votave.

Ndryshe nga Kosova që është një zonë zgjedhore, Shqipëria është e ndarë në 12 zona zgjedhore që përkojnë me ndarjen territoriale të qarqeve dhe në secilën prej këtyre zonave është e përcaktuar një numër i caktuar mandatesh. Numri i deputetëve për çdo qark zgjedhor përcaktohet në përpjesëtim me numrin e banorëve të tij dhe në këtë mënyrë çdo deputet përfaqëson një numër të përafërt qytetaresh në të gjitha qarqet.

Qarku i Tiranës ka numrin më të madh të mandateve ku partitë luftojnë për 36 ulëse. Qarku i Fierit ka 16 mandate, Durrësi dhe Elbasani me nga 14 mandate, Vlora me 12 mandate, Shkodra dhe Korça me nga 11 mandate, ndërsa qarku i Beratit dhe ai i Lezhës kanë nga 7 mandate secila. Qarku i Dibrës me 5 mandate, i Gjirokastrës me 4 dhe i Kukësit me 3 kompletojnë 12 zonat zgjedhore dhe 140 ulëset në Kuvendin e Shqipërisë.

Risi në këto zgjedhje janë edhe e ashtuquajtura listë e hapur e kandidatëve. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumëemërore. Më konkretisht, renditja e kandidatëve në listën e partisë ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madhe se herësi, që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara, por jo më shumë se 10 mijë vota.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat