Në prag të zgjedhjeve/ Kreu i KQZ, Celibashi sqaron tre variantet e votimit

Shqipëria

Në prag të zgjedhjeve/ Kreu i KQZ, Celibashi sqaron tre variantet e votimit

Më: 24 prill 2021 Në ora: 18:04
Ilirian Celibashi

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi u shpreh se janë marrë të gjitha masat e duhura me qëllim që gjithçka të jetë gati për ditën e nesërme dhe votimi të nisë në orën 07:00.

“Është gjithçka gati, nga pikëpamja përgatitore këto zgjedhje janë përgatitur në përputhje me të gjitha parashikimet e Kodit Zgjedhor, dhe në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira të drejta dhe të ndershme. Duke siguruar integritetin e procesit, fshehtësinë e votës dhe një rezultat i cili vjen si rrjedhojë e këtij procesi ligjor” u shpreh Celibashi në emisionin “Kjo javë” në News 24, ndërsa theksoi se deri më tani nuk është evidentuar problematikë në shpërndarjen e bazës materiale në të gjitha KZAZ-të e vendit.

“Edhe nëse do ketë probleme të tilla të karakterit teknik, KQZ ka marrë të gjitha masat që të reagojë menjëherë e të mos ketë asnjë lloj vonese në fillimin e procesit të votimit. Edhe anëtarët e komisioneve në qendrat e votimit, kanë të gjithë ndërgjegjësimin të kuptojnë rëndësinë e detyrës që ata kanë dhe të kuptojnë përgjegjësinë që kanë në rast të mos kryerjes së saj në përputhje me parashikimet e Kodit”, tha kreu i KQZ, ndërsa foli edhe për ndikimin e pandemisë në përgatitjet e procesit zgjedhore.

“Do të ishin më shumë vëzhgues nga OSBE/ODIHR që janë ata vëzhguesit dhe vlerësuesit kryesorë të zgjedhjeve. Pandemia e ka bërë të vetën, nuk kemi numrin që do të kishim nëse nuk do ishte situata e pandemisë. Gjithë përfaqësitë ndërkombëtare janë angazhuar me të gjitha kapacitetet në vëzhgimin e zgjedhjeve. Ka vëzhgim edhe nga organizatat vendase. Këto zgjedhje janë të mirëvëzhguara edhe pse jemi në pandemi”, tha ai.

“Një ditë para zgjedhjeve është rasti të sqarojmë procedurat e votimit. Janë tre mënyra se si votuesi të plotësojë fletën e votimit: ai mund të votojë vetëm për partinë politike, në kuadratin përbri logos së partisë apo koalicionit, varianti tjetër është kur zgjedh partinë/koalicionin dhe kandidatin përkatës dhe mënyra tjetër shenjimi vetëm për kandidatin e një partie/koalicioni pa qenë i detyruar të bësh zgjedhjet për partinë apo koalicionit të cilit ky kandidat i përket, por edhe në këtë rast vota që ti ke dhënë vetëm për kandidatin i shkon edhe partisë që i përket ky kandidat. Çdo mënyrë tjetër ka shumë propabilitet të konsiderohet e pavlefshme” -sqaroi Celibashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat