Ndër më të votuarit e PD, Shehaj pranon zgjedhjet: Vota juaj nuk është e humbur

Shqipëria

Ndër më të votuarit e PD, Shehaj pranon zgjedhjet: Vota juaj nuk është e humbur

Më: 1 maj 2021 Në ora: 10:43
Agron Shehaj

Një ndër kandidatët më të votuar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë demokratëve të cilët votuan PD, duke shtuar se ata do të përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë.

 “Si çdo demokrat do dëshiroja që sot të kishim marrë mundësinë për të venë në jetë angazhimet që morëm para gjithë shqiptarëve për t’u dhënë atyre një qeveri të përgjegjshme që punon për njerëzit.”, shkruan përmes një postimi në rrjetin e tij social, duke pranuar kështu zgjedhjet e 25 prillit.

Shehaj shprehet se do të punojë çdo ditë për t’i shërbyer interesit publik. Ai ishte një ndër kandidatët më të votuar të Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare, duke fituar kështu mandatin. Partia Demokratike ka arritur të sigurojë 59 mandate në të gjithë vendin. 

Postimi i plotë:

Dua t’ju falenderoj sinqerisht të gjithë ju që votuat Partinë Demokratike në Tiranë dhe veçanërisht në Njesinë 5 dhe 7, ku pata nderin të punoj bashkë me demokratët. Mbi 9 mijë vota më shumë se në vitin 2017, në këto dy njesi, janë një besim i madh për partinë tonë.

Si çdo demokrat do dëshiroja që sot të kishim marrë mundësinë për të venë në jetë angazhimet që morëm para gjithë shqiptarëve pēr t’u dhënë atyre një qeveri të përgjegjshme që punon për njerëzit.

Por vota juaj për Partinë Demokratike nuk është e humbur, ajo do të përfaqësohet besnikërisht dhe me kurajo në Kuvendin e Shqipërisë, që mbi të gjitha u takon shqiptarëve të thjeshtë.

U jam gjithashtu mirënjohës dhe ndihem përgjegjës ndaj të gjithë juve që shprehët besim tek unë personalisht. Do ta tregoj me punë, çdo ditë, se jam në politikë për ju dhe për t’i shërbyer me nder interesit publik.

Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat