Në Shqipëri pritet të shkurtohet ora policore dhe të hiqen maskat

Shqipëria

Në Shqipëri pritet të shkurtohet ora policore dhe të hiqen maskat

Më: 16 maj 2021 Në ora: 08:54
Ilustrim

Ashtu siç edhe pritej, ulja e shifrave të infeksionit pritet të sjellë lehtësim të masave anti-Covid.

Në mbledhjen e radhës Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet të vendosë për heqjen e maskave në ambientet jashtë, si edhe për shkurtimin e orës policore.

Prej disa muajsh mbajtja e maskës në ambientet jashtë është e detyrueshme, ndërsa liria e lëvizjes është deri në orën 22:00. Pas kësaj ore qarkullimi është i ndaluar dhe po ashtu të gjitha aktivitetet, me përjashtim të atyre që ofrojnë shërbim në banesë, janë të detyruar që të ulin qepenat.

Por në ndryshimet që pritet të zyrtarizohen javës që vjen parashikohet që të zgjatet ora policore së paku deri në mesnatë, ndërsa pritet po ashtu që maska të mos jetë më e detyrueshme për t’u mbajtur në ambientet jashtë.

Situata

Prej disa javësh shifrat e infeksionit vijojnë të pësojnë ulje, duke dëshmuar qartazi një përmirësim të ndjeshëm të situatës.

Të premten janë raportuar vetëm 49 raste të reja nga rreth 3 mijë testime të kryera, çka do të thotë se shkalla e infeksionit vijon të jetë nën 5 për qind. Pra, më pak se 5 për qind e të testuarve rezultojnë të prekur me COVID-19.

“Janë kryer 2,964 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 49 qytetarë. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 9 raste në Tiranë, 6 raste në Pogradec, 4 raste në Shkodër, Devoll, Elbasan, 3 raste në Korçë, 2 raste në Vlorë, Mirditë, Gjirokastër, Sarandë, Gramsh, Skrapar, 1 rast në Kurbin, Kavajë, Lushnjë, Berat, Kolonjë, Finiq, Pustec”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë shëruar 983 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 122,105 që nga fillimi i epidemisë.

Shifrat e larta të të shëruarve nga njëra anë dhe rënia e rasteve të reja kanë sjellë ulje të shifrave me të infektuarit aktivë. Aktualisht në të gjithë vendin janë vetëm 7,407 persona pozitivë me koronavirus.

Spitale

E qëndrueshme paraqitet situata edhe në spitalet COVID, ku po marrin trajtim mjekësor 84 pacientë, nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive. Pra për herë të parë pas shumë muajsh nuk ka asnjë pacient në intubim.

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, betejën me COVID-19 nuk e ka fituar një qytetar 71 vjeç nga Berati”, ka bërë të ditur më tej Ministria e Shëndetësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat