Eurostat: Shqipëria e fundit në Europë për konsumin dhe të ardhurat për frymë

Shqipëria

Eurostat: Shqipëria e fundit në Europë për konsumin dhe të ardhurat për frymë

Më: 22 qershor 2021 Në ora: 10:26
Foto ilustrim

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria u rendit e fundit në Europë, sa i përket konsumit individual për frymë, i cili është një matës i mirëqenies materiale të familjeve dhe u referohet konsumit të familjarëve sipas standardeve të barazisë së fuqisë blerëse.

Për Shqipërinë, ky tregues ishte sa 40% e mesatares së BE-së në vitin 2020, duke shënuar nivelin më të ulët në Europë dhe rajon, me rritje prej 1 pikë përqindje nga viti i mëparshëm.

Progresin më të madh e bëri Serbia, nga 49% në 52% dhe është vendi që shënoi dhe ecurinë më të mirë ekonomike në rajon në vitin e pandemisë, me një rënie prej 1%.

Mali i Zi mbetet shteti me konsumin më të lartë për frymë, prej 61% të mesatares së BE-së.

Shqipëria, u rendit e fundit në Europë edhe sa i përket të ardhurave për frymë.

Sipas të dhënave të Eurostat, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Shqipëri ishte sa 31% e mesatares së BE-së në vitin 2020, i njëjti nivel si viti i mëparshëm, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit bënë më shumë progres në drejtim të konvergjencës.

Pas Shqipërisë, më të ulëta i ka të ardhurat Bosnjë-Hercegovina, me 33% të mesatares së BE-së, nga 32% një vit më parë, duke zgjeruar diferencën me 2 pikë përqindje me vendin tonë.

Progresin më të lartë e shënoi Serbia, të ardhurat për frymë të së cilës ishin sa 43% e mesatares së BE-së, nga 41% që ishin në 2019.

Maqedonia e Veriut ruajti të njëjtin nivel, në 38% të mesatares së BE-së, ndërsa të ardhurat për frymë të Malit të Zi ishin sa 46% e mesatares së BE.

Në vitin 2020, nëntë shtete anëtare regjistruan konsumin për frymë mbi mesataren e BE-së.

Niveli më i lartë në BE u regjistrua në Luksemburg, pasuar nga Gjermania dhe Danimarka.

Holanda, Austria, Finlanda, Belgjika, Suedia dhe Franca regjistruan nivele ndërmjet 5% dhe 20% mbi mesataren e BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat