Fatos Klosi: Sali Berisha do ketë fatin e Tom Doshit, ja kush e ka radhën në SPAK

Shqipëria

Fatos Klosi: Sali Berisha do ketë fatin e Tom Doshit, ja kush e ka radhën në SPAK

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 09:29
Fatos Klosi

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka zbuluar arsyet se përse presidenti Ilir Meta është distancuar së fundmi nga ish-kryeministri Sali Berisha, pas shpalljes së këtij të fundit “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pak ditë më parë presidenti Meta ka reaguar ashpër, ndërsa e cilësoi vendimin e DASH për ish-kryeministrin Berisha një fletë rrufe të porositur nga regjimi i Edi Ramës. Por kohët e fundit dyshja Berisha-Meta shihen më larg njëri-tjetrit, ndërkohë që për të mësuar më shumë rreth raporteve të ish-kryeministrit dhe kreut të shtetit, por edhe sa u takon zhvillimeve më të fundit politike dhe jo vetëm në vend, gazeta foli me ish-kreun e SHISH, Fatos Klosi. Ky i fundit gjatë një interviste të gjatë për gazetën “SOT”, u shpreh se mes Metës dhe Berishës ka një simbiozë, vetëm kur në mes është interesi. Sa i takon vendimit të DASH, zoti Klosi theksoi se Berisha do ketë fatin e Tom Doshit dhe se sipas tij, nuk ka shans të jetë në Parlament gjatë.

-Zoti Klosi, PD të shtunën mbajti Kuvendin Kombëtar për të analizuar humbjen në zgjedhje. Basha deklaroi se nuk do i njohë zgjedhjet, por në Parlament do të futen. Si e patë Kuvendin e PD?

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, i mbajtur këtë të shtunë mu duk pak i çuditshëm. Pra, nga njëra anë Luli dhe Berisha thonë që do të hyjmë në Parlament në shtator dhe nga ana tjetër, akuzojnë Edin se iu ka vjedhur zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Kështu që nga kjo pikëpamje si fjalimet e bëra në Kuvendin Kombëtar dhe deklaratat për analizën e humbjes dhe fakti se Basha nuk i njeh zgjedhjet janë të çuditshme. Pse e them të çuditshme? Sepse në Parlament me këto zgjedhje kanë hyrë ata që sot i cilësojnë si “masakër elektorale”. Nga ana tjetër, mendoj se edhe analiza e humbjes është më shumë një justifikim i humbjes se sa analizë e vërtetë. Pra, Lulzim Basha thotë ore shikoni se nuk ishte faji ynë, por na i bënë socialistë të tërë, ndërkohë që dihej prej kohësh opinioni i tyre për zgjedhjet, ku para se të mbaheshin ato, demokratët thoshin Partia Socialiste i vjedh votat, PS blen vota dhe intimidon votuesit. Kështu që nëse vërtet e besojnë këtë gjë, pse nuk i morën masat?! Për mua nuk e beson edhe vetë opozita që 25 prilli ishte “masakër elektorale”, por përpiqen ta përdorin si alibi për t’u justifikuar, në mënyrë që Luli të vijojë të mbetet kryetar i Partisë Demokratike. Është për të ardhur keq që partia më e madhe në Shqipëri dhe më e madhja në opozitë është katandisur në këtë farë derexheje, ku pas çdo palë zgjedhje, kërkon të justifikojë humbjet që pëson.

-Ai që bëri përshtypje është padyshim ish-kryeministri Berisha, i cili tha se mezi pret të rikthehet në Parlament. A ishte deklarata e tij një sfidë për SHBA? Pasi amerikanët e kanë bërë të qartë se emrat “non grata” nuk i duan në Parlament.

Deklarata e Sali Berishës se mezi pret të kthehet në Parlament është sfidë ndaj amerikanëve, por që është edhe një “betejë” e humbur e Saliut. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dy masa për të vlerësuar gjërat, por 20 masa përpara se të marrin një vendim që ta shpallin person “non grata” një individ të caktuar dhe familjarët e tyre. Shiko, para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, amerikanët bënë namin që Tom Doshi të mos jetë në Parlament dhe e detyruan që ai të mos kandidonte në 25 prill. Kështu që edhe Berisha shoh që të njëjtin fat do të ketë. Ndërkohë, më duket pak qesharake që Berisha e di mirë që amerikanët kanë prova kundër tij dhe bën sikur nuk ekziston një gjë e tillë dhe se vendimi për të është marrë jo mbi prova, por nga mediat, gënjeshtrat e Edit apo influenca e Xhorxh Sorosit. Kështu që s’kam ndonjë koment më shumë, pasi Sali Berisha i tillë ka qenë gjithmonë, ku hipokrizinë dhe pabesitë i ka pasur udhëheqës në jetën e tij politike. Ne shumë shpejt do ta shohim dhe të gjitha akuzat e Berishës, janë justifikime të kota. Amerikanët kanë prova për Saliun dhe ai dreq e di mirë këtë gjë. Kështu që jemi në një situatë ku Luli ia hedh fajin Edit për humbjen në zgjedhje, ndërsa Berisha ia hedh fajin Sorosit, se gjasme ky i fundit e ka inat Saliun. Të gjitha këto janë qesharake, por shumë madje. Sa i takon betejës së Berishës kundër Sekretarit Antony Blinken, mendoj se është një shashkë, pasi s’ka shanse që Saliu të fitojë gjyqin kundër Departamentit Amerikan të Shtetit, kur dhe vetë ai e di që DASH, vendimet i merr mbi bazë provash dhe faktesh autentike.

-Si shpjegohet që PD nuk distancohet dot prej Berishës?

Sali Berisha e tha të shtunën po ta keni vënë re me kujdes prononcimin e tij, pas Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, që tha se ai ka krijuar PD-në. Kjo e fundit sipas Berishës është pjella e tij, ndonëse nuk e ka krijuar ai, pasi Partinë Demokratike e krijuan të tjerë që Berisha i eliminoi dhe i përjashtoi, ndërkohë që PD-në e mori pasi ishte krijuar. Kështu që kjo PD që sot është pjellë e tij, pasi Saliu i ka dhënë formën dhe mënyrën e të menduarit, i ka dhënë filozofinë, etj. Partia Demokratike gjithmonë ka qenë një repart ushtarak, pasi aty dominonte vetëm filozofia “Berishiste”. Berisha i eliminoi dhe flaku nga partia gjithë kundërshtarët dhe themeluesit e PD. Dhe të gjitha këto më bëjnë të mendoj se Partia Demokratike nuk distancohet dot prej Berishës.

-A ka mbështetje Berisha në PD? Në Kuvend u prit me ovacione, duke lënë disi në hije edhe Bashën.

Patjetër që Sali Berisha ka ende mbështetje në Partinë Demokratike. Kjo e fundit është pjellë, pra e bija e Berishës. Kuptohet që kjo ide nuk është e re. Vjen nga Partia Bolshevike e themeluar nga Lenini në fillim të shekullit të kaluar. Është hera e parë në historinë politike kur lideri dhe partia shkrihen në një në fjalët e poetit sovjetik Majakovski: “Kur themi partia nënkuptojmë Lenini dhe kur themi Lenini nënkuptojmë Partia”. Pra, kur themi Berishë është PD-ja dhe kur themi Partia Demokratike është Berisha. Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Partia e Lul Bashës shiko ku u katandis, se atë parti e mbante Berisha. E mbante si e mbante Saliu PD-në, ndonëse mua nuk më pëlqente ajo mënyrë e mbajturi, pasi e konsideroj repart ushtarak, por kështu ishte. Kështu që edhe ovacionet të shtunën në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike për Berishën, vijnë, pasi demokratët Berishën njohin si lider. Mbase dhe do ta donin prapë Berishën demokratët, pasi duan të jenë më të sigurtë dhe më të fuqishëm se sa me Lulin.

-Ajo që vihet re është se duket sikur kemi një distancim të Metës nga Berisha. Meta shkoi në festë e pavarësisë në Ambasadën e SHBA, po ashtu uroi presidentin Biden. Teksa Berisha sulmon SHBA, Meta duket se po tenton të afrohet me ta. Ju si e shihni?

Prania e Ilir Metës në festën e Pavarësisë së Amerikës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ishte e sforcuar dhe detyruar. Iliri është president dhe shkoi atje me petkun e një zyrtari të lartë. Sa i takon asaj që vihet re është se duket sikur kemi një distancim të Metës nga Berisha, mendojnë se këta të dy nuk kanë qenë asnjëherë bashkë. Meta dhe Saliu janë ndarë dhe janë bashkuar me njëri-tjetrin, pasi i lidh interesi. Ata të dy kanë interesa me njëri-tjetrin andaj dhe janë bashkë. Ndërsa kur ndahen dhe akuzojnë njëri-tjetrin, e bëjnë për shkak se nuk kanë rënë dakord për një ters apo një pazar të caktuar. Kaq e thjeshtë është. Ndërkohë që tani jemi edhe në një situatë delikate, që Ilir Metës nuk i intereson që të rrijë dhe shoqërohet me një person që është shpallur “non grata” nga amerikanët, siç është Sali Berisha. “I mbyturi të mbyt”, thotë populli. Ky është komenti im i thjeshtë. (Qesh)! Ndërkohë, Iliri është ftuar si President i Republikës së Shqipërisë dhe shkoi. Nuk mund të thotë jo, pasi do të ishte absurde. Megjithatë, siç e theksova më sipër, miqësia dhe armiqësia “Meta-Berisha” është lidhur dhe zgjidhur për interesa. Kaq!

-Presidenti është në proces shkarkimi. Së pari mendoni se Kushtetuesja do e shkarkojë? Dhe së dyti, kur Meta të ikë nga Presidenca, pasi i mbaron mandati vitin që vjen, do ketë telashe me amerikanët? Kujtojmë që zoti Reeker e shmangi nga takimet.

Nuk e di dhe s’kam koment. Iliri e kishte mbushur kupën për t’u shkarkuar, ndërkohë që tani të presim verdiktin e Gjykatës Kushtetuese. Besoj që është e udhës që Iliri të reflektojë dhe kjo jo vetëm në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerët ndërkombëtarë, por edhe me institucionin. Pasi nëse nuk do të shkakoret nga detyra, nuk besoj se do të bëjë prapë karagjozllëqe, duke bllokuar dekretimin e ministrave dhe qeverisë.

-Përveç PD, javët e fundit kemi pasur zhvillime në sistemin e drejtësisë. SPAK ka arrestuar një kryetar bashkie, po heton një zv/ministre, etj. A janë këto sinjale se po shkohet te të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj”?

Ne këtë po presim që Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin të shkojë tek të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj”. Gjithë populli shqiptar që beson tek reforma në drejtësi, beson se ai pret që të shohë në bankën e të akuzuarve dhe drejtësisë të gjithë të korruptuarit dhe inkriminuarit që kanë bërë çfarë kanë dashur gjatë këtyre 30 viteve. Pra, SPAK-u është një nga institucionet e reformës në drejtësi që ka mision të luftojë korrupsionin dhe nga kjo pikëpamje mendoj se operacionet e fundit duhen përshëndetur. Reforma në drejtësi ka hyrë në shina. Mos harroni që korrupsion në tërësi është një vepër penale shumë komplekse dhe fenomen që është prezent edhe në vendet më të zhvilluara perëndimore dhe jo vetëm. Kjo tregon që lufta kundër korrupsionit nuk është kaq e thjeshtë, pasi ata që bëjnë korrupsion nuk janë njerëz të paditur, nuk është se si njohin ligjet. Të korruptuarit përpara se të bëjnë korrupsion, mendojnë si t’i fshehin aferat e të korruptuarve. Kështu që nga kjo pikëpamje nuk është kaq e thjeshtë, pasi nuk mund ta burgosësh një person mbi bazë opinionesh. Duhen prova dhe mendoj se SPAK po e bën si duhet punën e saj. Pra, SPAK-u e ka filluar punën e vet dhe natyrisht e ka nisur me ata që e ka më të thjeshtë, që si të thuash kanë lënë ndonjë provë rrugës. Por drejtësia do prova.

-Ka shumë që thonë se SPAK nuk po bën punë si duhet. Po merret me njerëz anonimë, etj. Si i shihni këto reagime dhe a mund të themi se SPAK ka nisur vetëm nxehjen për të shkuar te politika?

Patjetër që ka nisur nxehjen, pasi nuk ka nisur akoma reprezalja tek “peshqit e mëdhenj”. Por mendoj se korrupsionit politik shqiptar po i mblidhet laku. Dhe shqiptarët po presin shtrëngimin e këtij laku. Kështu që shpresoj që të shohim që në rrjetën e SPAK të bien “peshqit e mëdhenj” apo “peshkaqenët”, merreni si të doni. Megjithatë, nga ana tjetër shoh që shumë dosje të bujshme si “21 Janari” dhe “Gërdeci” janë rihapur nga Prokuroria Speciale dhe kjo gjë më bën të mendoj dhe të jem optimist se në Shqipëri do të vendoset drejtësi. Ka ardhur koha që të vendoset drejtësi për këto dosje, por edhe për të tjera që kanë fjetur në sirtarët e prokurorisë.

-Ajo që kemi vënë re, është se LSI është partia që po sulmon fort SPAK. Pse mendoni ju se kjo parti sulmon drejtësinë e re dhe a është një lloj strategjie për të njollosur SPAK nëse ai shkon te zyrtarë të LSI?

Patjetër që është strategji, pasi disa ish-zyrtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe disa të tjerë lakohen në media si të përfshirë në afera korruptive. Kështu që edhe revanshi ndaj SPAK është strategji, që nesër kur SPAK-u t’iu trokasë në derë, ata justifikohen që është sulm politik.

-Kush duhet të ketë frikë nga drejtësia e re dhe a mund të themi se Meta e Berisha janë dy më të rrezikuarit?

Mendoj se Sali Berisha do ta ketë punën pisk. Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur person “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha është dhënë mbi bazë provash. Por gjithë problemi është nëse provat e amerikanëve kundër Saliut do të konsiderohen prova nga drejtësia shqiptare. Pra, provat e amerikanëve duhet të bëhen prova për drejtësinë shqiptare. Ky është problemi. Unë nuk jam specialist i kësaj fushe, por nuk është kaq e thjeshtë. Mirëpo, përtej këtyre, besoj se Berisha do të ketë punë me drejtësinë, pasi i ka bërë gjëmën këtij vendi dhe i ka shkaktuar shumë krime dhe vuajte këtij populli në këto 3 dekada demokraci. Megjithatë, mbetet të shihet dhe uroj që provat e amerikanëve kundër Berishës t’i shërbejnë drejtësisë shqiptare.

-Ju keni thënë disa herë se SHBA di më shumë se vetë ne për politikanët shqiptarë. A ka gjasa që amerikanët të kërkojnë arrestime emrash të caktuar. Mos harrojmë që ish-kryeprokurori Llalla ka thënë se i është kërkuar arrestimi i Metës dhe Berishës.

Nuk mund ta them këtë, por nga ana tjetër di të them se unë e kam thënë edhe herë të tjera për gazetën tuaj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë prova për të korruptuarit shqiptarë dhe që ata dinë gjithçka për ne. SHBA i di me emra të korruptuarit dhe të inkriminuarit shqiptarë. Sa u takon deklaratave të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla ato janë alibi dhe të gatuara nga ai, për të treguara se amerikanët nuk janë seriozë. Janë deklarata të gatuara nga Llalla dhe Berisha. Adriatik Llalla ishte një dështim në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe duhet të japë llogari para drejtësisë. Kaq!

-Si e shihni situatën në PS. Socialistët fituan, por duket sikur nuk janë dhe aq të gëzuar? Ju duket si e zymtë situata në PS?

Nuk kam ndonjë koment të veçantë. Por fakti që Edi po tregon se është i vendosur për të bërë shtet, është një gjë e mirë.

-Rama ka paralajmëruar të vetët se nuk do i mbështesë nëse kanë punë me SPAK. Si i shihni këto qëndrime?

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama se Partia Socialiste nuk do të jetë mburojë dhe nuk do të mbështesë asnjë që kanë punë me drejtësinë janë deklarata që duhen përshëndetur. Mesa duket në këtë mandat të tretë edhe për faktin që po flitet shumë për korrupsion, kryeministri Edi Rama po investohet fort të bëjë shtet. Rama është kryeministër i Shqipërisë, por është edhe politikan dhe nga kjo pikëpamje deklaratat e Edit janë shumë të rëndësishme, pavarësisht se nuk janë prova për gjyq. Opinionet janë shumë të rëndësishme në politikë, pasi në fund të fundit populli voton mbi bazë opinionesh që ka krijuar. Dhe Ramës nuk i leverdis kjo situatë që po flitet për korrupsion gjithandej, me të drejtë bëri këto deklarata, që për t’iu thënë njerëzve të korruptuar që ka sigurisht edhe në PS, që shiko nuk mund t’i mbaj unë në kurriz bëmat tuaja. Unë e shikoj si një gjë pozitive.

-A ka gjasa të shkohet te një bashkëqeverisje mes PS dhe PD?

Jam skeptik dhe nuk e besoj se mund të ndodhë. Mos harroni që Saliu e “shqyen” Lulin nëse bashkëpunon me Edin!

-Mendoni ju se në 4 vitet që vijnë do kemi ndryshime të mëdha?

Uroj dhe shpresoj që të bëhet më e mira për qytetarët shqiptarë dhe Shqipërinë. Kështu që këtë mandat të tretë sigurisht që Edi duhet të jetë më i kujdesshëm, që plot defekte që janë shfaqur në mandatin e dytë të qeverisë socialiste të mos përsëriten gjatë mandatit të tretë dhe natyrisht që premtimet që janë bërë të mbahen. Pra, mandati i tretë të jetë një mandat pune dhe përpjekjesh të qeverisë “Rama 3”, që edhe nëse do ta kërkojë Edi votën e qytetarëve për një mandat të katërt, të jetë më i sigurtë në hapat që hedh dhe të justifikojë besimin e qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat