Muzika në Lungomare, Fuga: Fajin e ka shteti...

Shqipëria

Muzika në Lungomare, Fuga: Fajin e ka shteti...

Më: 20 korrik 2021 Në ora: 20:16
Artan Fuga

Situata në Lungomare të Vlorës ka marrë kthesë këto dy ditët e fundit, pasi pronarët e lokaleve kanë dalë në protestë duke kërkuar që të zgjatet ora e lejimit të muzikës.

Mirëpo dje Rama dhe më pas Komiteti Teknik i Ekspertëve thanë se duke filluar nga sot (20 korrik) muzika do të lejohet deri në orën 23:00, nga ora 22:00 që ishte më parë.

Megjithatë ata nuk janë të kënaqur dhe kërkojnë që të zgjatet më shumë deri në 00:00 ose 01:00, pasi pa muzikë po iu largohen klientët.

Për situatën ka reaguar dhe akademiku Artan Fuga, duke nxjerrë në një farë mënyrë fajtorët e këtij “kaosi” të krijuar dhe se si mund të zgjidhet çështja. Profesori i komunikimit është padyshim kundër dhunës policore dhe deklaron se nuk mund të zgjidhet çështja me polici, madje nuk mund të futen në burg pronarët e lokaleve vetëm se kërkojnë të punojnë.

“Muzika për dikë është zhurmë ndërsa për dikë tjetër është argëtim, ndaj nuk është muzika problemi”, thotë ai përmes një shënimi në rrjete sociale.

Sipas Fugës, shkaktar i kësaj situate është menaxhimi i gabuar i hapësirës publike nga pushteti lokal dhe ai qendror, pasi nuk mund të bashkëjetojnë në një vend familjarët që duan qetësi me të rinjtë apo të tjerë që duan muzikë deri në “kupë të qiellit”. “Gjërat duhet të ishin ndarë, pasi në një varkë nuk rrinë dot ujku, delja dhe lakra”, shkruan më tej profesori.

Shënimi i Artan Fugës

Muzika e Lungo Mares në Vlorë

Nuk është fare se muzika është e keqe. Kush e ka të drejtën e përcaktimit se kush është muzikë e mirë apo e keqe?

Gëzimi është gjithmonë i zhurmshëm!

Nuk është fare se ka ndotje akustike! Ajo që ti e quan zhurmë, për festuesit brenda lokaleve është një ritëm gjallërues, një ekstazë.

Nuk është fare te Covid 19 dhe nuk zgjidhet me polici ajo që është krijuar si kaos.

Fut në burg njerëz sepse kryejnë profesionin e tyre si pronarë lokalesh, kjo është prapësi.

Po atëhere si?

Si?

Shkaku është Modelimi i keq i asaj pjese të qytetit, ku bashkohen ndërtimet gjigande, pra familjarë që janë banorë qyteti dhe nuk ja kanë ngenë zhurmave.

Shëtitorja që grish për shëtitje të qeta.

Lokalet, tavernat, pubet që doemos duan muzikë, madje të fortë, sa t’a hajë krahu!

Secili ka të drejtën e tij, puna është se modelimi i gabuar urban i ka vendosur këto tre realitete sociale cip mbi cip në të njejtin vend ndërkohë që ato nuk mund të bashkëjetojnë. Askund nuk bashkëjetojnë!

Bashkia dhe pushteti qendror pasi e krijuan problemin duke vendosur në një pikë dhe hapësirë urbane realitete të papajtueshëm, tani ndërhyjnë për të zgjidh konfliktet që kanë krijuar vetë.

Politikat urbane krijojnë tensione, policia i zgjidh me dhunë!

Ja rrënja e problemit. Mbishfrytëzimi i hapësirës urbane për qëllime mbifitimi dhe politikat e gabuara urbane, përtej një estetizmi gjigandoman, që sjellin probleme të pazgjidhëshme dhe që në fund bien mbi banorët e qytetit, mbi pushuesit, mbi festuesit dhe mbi pronarët e lokaleve.

Në vend të planifikimit racional urban, i vetmi kriter mbishfrytëzimi i hapësirës urbane. Kështu ndodh edhe për probleme të tjera!

Bashko në një varkë ujkun, qingjin dhe lakrën dhe pastaj ëndërro se në varkë do ketë paqe dhe mirëkuptim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat