Varianti Delta i COVID mbërrin në Shqipëri, e konfirmon ministria e Shëndetësisë

Shqipëria

Varianti Delta i COVID mbërrin në Shqipëri, e konfirmon ministria e Shëndetësisë

Më: 25 korrik 2021 Në ora: 15:30
Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se, në vijim të procesit të monitorimit të situatës së Pandemisë COVID-19 nga Instituti i Shëndetit Publik, pjesë e së cilës është dhe monitorimi për variantet qarkulluese, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2.

Konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, i dyshuar nga sinjalet laboratorike dhe tashmë i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin, përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.

MSHMS apelon qytetarët të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksinimit, në qendër shëndetësore, qendrat e vaksinimit masiv apo me njësitë lëvizëse.

Vaksinimi, shpëton jetë! Vaksinat veprojnë, ato reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Ministria e Shëndetësisë i drejtohet të gjithë qytetarëve të zbatojnë rigorozisht masat parandaluese:
Vetëkarantinimin paraprak në rastet kur keni shenja të virusit Covid19 apo nëse keni patur kontakte me persona të konfirmuar me këtë virus.
Ftojmë qytetarët të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes për çdo dyshim dhe të zbatojnë udhezimet e mjekut për protokollin e ndjekjes dhe trajtimit. Për çdo emergjencë shëndetësore kontaktoni në numrin unik 127 me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.
Edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim masiv, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm.
Aktualisht në Shqipëri janë kryer 1,134,085 vaksinime, nga të cilat, 496,714 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës anticovid. Edhe sot vijon vaksinimi i hapur për çdo qytetar +18 vjeç në qendrat e vaksinimit kudo nëvend, deri në orën 8 të mbrëmjes.

Një ditë më parë Gazeta Shqip parlajmëronte se varianti Delta ishte prezent në Shqipëri, dhe se ai ishte konstatuar në pjesën e verilindore të vendit.

Qarku i Kukësit është i treti më i prekur nga Covid në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë të shtunën, në këtë qark janë 25 raste aktive. Qarqet e tjera që kanë më shumë raste janë Tirana me 103 raste dhe Vlora me Elbasanin me nga 26 raste.

Si shpjegohet kjo vatër në Kukës? Burime të gazetës Shqip pohojnë se nga 25 rastet e Qarkut të Kukësit, 23 prej tyre janë të regjistruara vetëm në rrethin e Hasit dhe ka dyshime të forta se vatra e Covid-t që ka shpërthyer në këtë qytet është shkaktuar nga varianti Delta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat