“Delta” në Shqipëri/ E konfirmojnë analizat nga Berlini, rritja e infektimeve tregon praninë e tij

Shqipëria

“Delta” në Shqipëri/ E konfirmojnë analizat nga Berlini, rritja e infektimeve tregon praninë e tij

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 07:30
Foto ilustrim

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi këtë të dielë lajmin që Top Channel dha 10 ditë më parë për rastet e para të personave pozitivë me variantin Delta të covid-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në vijim të procesit të monitorimit të situatës së Pandemisë nga Instituti i Shëndetit Publik, pjesë e së cilës është dhe monitorimi për variantet qarkulluese, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta.

Për autoritetet e shëndetësisë, konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, i dyshuar nga sinjalet laboratorike dhe tashmë i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin, përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.


Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksinimit, në qendër shëndetësore, qendrat e vaksinimit masiv apo me njësitë lëvizëse.

“Vaksinimi, shpëton jetë! Vaksinat veprojnë, ato reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet. Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjiena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit”, thotë Ministria.
Autoritetet kujtojnë vetëkarantinimin paraprak në rastet kur keni shenja të virusit Covid19 apo nëse keni pasur kontakte me persona të konfirmuar me këtë virus.

Aktualisht në Shqipëri janë kryer 1,134,085 vaksinime, nga të cilat, 496,714 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës anticovid.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat