Hoxha: SHBA-ve u ka ngecur sharra në gozhdë me Berishën

Shqipëria

Hoxha: SHBA-ve u ka ngecur sharra në gozhdë me Berishën

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 07:48
Artan Hoxha

Analisti, Artan Hoxha, nuk është aspak i suprizuar nga kërkesa e dy dite më parë e Ambasadores amerikane ndaj Partisë Demokratike për të mos e pasur Sali Berishën pjesë të grupit të ri parlamentar në Kuvendin e shtatorit.

Hoxha thotë se SHBA duket nuk është e mjaftuar me shpalljen non grata të tij por e do jashtë politikës.

Hoxha: SHBA kanë marrë një vendim për shpalljen non grata të Sali Berishës, ka kohë dhe ata do të tregojnë që janë shtet që vendimet që i marrin tentojnë ti çojnë deri në fund, janë superfuqi e botës dhe janë metodistë në punën e tyre dhe kjo pritej të ndodhte. Ambasadorja Kim nuk po bën gjë tjetër përveçse po kërkon që ai vendim i marrë për moslejimin e zotit Berisha të shkelë në SHBA të mos mjaftohet me aq por të pengohet zoti Berisha që të luajë një rol politik.

Për një arsye apo tjetër SHBA-të nuk e duan Sali Berishën të jetë aktor në politikën shqiptare dhe po gjëjnë mënyrat e tyre për ta realizuar. Ky vendim i SHBA nuk i shërben demokracisë në Shqipëri, nuk mund të them nëse u shërben interesave amerikane por u shërben atyre interesave të sotme që komandojnë Amerikën zyrtare se përndryshe nuk do të ishte marrë si vendim.

Nuk i shërben demokracisë shqiptare për faktin se krijon një disekuilibër edhe më të madh se çështë krijuar për arsye të tjera në favor të rilindjes në pushtet e cila gëzon dhe mbipushtete dhe kemi një sistem ku demokracia është zëvendësuar në masë të madhe nga modeli autoritarist dhe oligark. Po kështu goditja e një personazhi opozitar si Sali Berisha e dobëson dhe ca më shumë opozitën dhe prish më për keq balancin e forcave në demokraci, ndaj them efekti do të ishte negativ. Por nga këndvështrimi amerikan ata vazhdojnë të bëjnë punën e tyre për ta çuar deri në fund atë vendim që kanë marrë.

Hoxha thotë se këtë akt të SHBA nuk e sheh si akt për të ndihmuar Lulzim Bashën por as si akt të qëllimshëm për të ndihmuar Edi  Ramën.

Hoxha: Do të duhet të kuptojmë interesat amerikane të investuara në atë rrymë të sotme që komandon Amerikën për të kuptuar dhe  veprimin e tyre në këtë pjesë të vogël të botës që quhet Shqipëri. Përfituesi më i madh i gjithçkaje që po ndodh është Edi Rama dhe rilindja e tij që për mua është në dëm të interesave të shtetit shqiptar dhe në dëm të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Por e sigurt sipas tij është se gjithë ky presion do të bjerë mbi PD dhe lidershipin e saj pasi Amerika mbetet e vendosur në synimet e saj dhe nga ana tjetër Berisha nuk bën hap pas.

Duke e krahasuar me rastin e Tom Doshit, i cili dhe pse arriti një rezultat tejet pozitiv në zgjedhjet e 25 prillit dha dorëheqjen si deputet, Hoxha thotë se SHBA-e me Berishën u ka ngecur sharra në gozhdë.

Hoxha: Gjithë presioni po bie mbi PD sepse Amerika nuk do të heqë dorë nga vendimet dhe synimet e veta përveçse nëse në SHBA ndodh një ndryshim thelbësor i interasve që kontrollojnë dhe drejtojnë Amerikën. Së dyti, e dimë që Sali Berisha është një luftëtar i paepur, nuk dorëzohet, është gati edhe të "vdesë" por nuk dorëzohet dhe gjithë prsioni do të bjerë mbi PD. Vizita e Ambasadores ishte atje ku ajo mendon se duhet marrë vendimi dhe është hallka më e dobët, aty ku shpreson që të bindë një organizatë politike ta braktisë Sali Berishën meqenëse Sali Berisha nuk largohet nga parlamenti siç bëri Tom Doshi.

Mesa duket me Sali Berishën ndryshe nga personazhet e tjera i ka mbetur sharra në gozhdë dhe kërkon patjetër të arrijë një sukses sepse deklarimi i Sali Berishës non grata nga SHBA nuk pati ndonjë efekt dëmtues në atë pjesë të shoqërisë që e beson, e do, e adhuron, apo e vlerëson Sali Berishën. Ai vendim nuk pati efektin e pritshëm që kishin autorët, në vlerësimin tim. Sali Berisha nuk ka humbur pikë sepse bëhet fjalë për një vendim të DASH të bazuar në ngjarje dhe fakte të ditura. Asgjë të re nuk ka. Ata duan të arrijnë një rezultat të ngjashëm me Tom Doshin, të detyrohet Sali  Berisha të vetëlargohet dhe nëse ai nuk vetëlargohet të detyrohet PD ta deklarojë atë jo anëtar të grupit të vet parlamentar. Kjo mesa duket është lëvizja pragmatiste që zhvilloi Ambasadorja dje dhe pritet të shohim hapat më tej.

Por vendimi final u takon organeve të reja drejtuese të PD-së, ndaj dhe Hoxha bën parashikimet.

Hoxha: Krahas kryetarit të rinfirmuar Lulzim Basha janë katër organe që do ta marrin vendimin. Barrën më të madhe e ka Lulzim Basha por ndonjëherë barra të tilla shpërndahen kolegjialisht me votë. Çfarë do të ndodhë nuk e di por unë prirem të besoj se shumica dërmuese e këtyre organeve kolegjiale do të votonin pro Sali Berishës nëse do të shtrohej çështja të jetë apo të mos jetë anëtar i grupit parlamentar. Të gjitha arsyet e mundshme janë në favor të Sali Berishës brenda PD, por janë njerëz të rinj dhe nuk dihet, gjithçka duhet të shihet me provë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat