“Kjo nuk është lojë”, SHBA dhe BE ‘djegin’ prokurorin shqiptar, i zbulojnë numrin e fshehtë që fliste me njerëzit e krimit

Shqipëria

“Kjo nuk është lojë”, SHBA dhe BE ‘djegin’ prokurorin shqiptar, i zbulojnë numrin e fshehtë që fliste me njerëzit e krimit

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 16:33
Besim Hajdarmataj

“Kjo nuk është lojë”. Ky ishte mesazhi që vëzhguesi i famshëm ndërkombëtar Theo Jecobs i dha prokurorit prokurorin Besim Hajdarmataj, i cili për çdo mbyllje dosjesh sajonte nga një alibi për të justifikuar veten dhe për të mohuar zhytjen në afera korruptive.

Deri ditën e djeshme, 3 korrik 2021, Besim Hajdarmataj kishte arritur t’i mjegullonte dhe të mbulonte me alibi lidhjet e tij me njerëzit e krimit në Shqipërisë, të cilëve u mbyllte dosjet e drogës dhe bixhozit.

Kur një personazh i botës së krimit në Laç dhe Shkodër, i kishte dërguar një mesazh në telefon, pasi Hajdarmataj i kishte mbyllur një dosje për makineritë e bixhozit, dhunë, kanosje dhe pengmarrje, prokurori tha se nuk ia kishte kthyer mesazhin. Dhe kjo në fakt ishte e vërtetë.

Kur u zbulua se Besim Hajdarmataj ishte udhëtuar në avion jashtë vendit me njeriun e botës së krimit, prokurori tha se ishte rastësi që ndodhej në të njëjtin avion me personazhin që i mbyllte dosjet pa bërë asnjë hetim.

Por, kjo nuk është një lojë. Ditën e djeshme, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u paraqit një provë, e cila trullosi dhe la pa fjalë prokurorin Besim Hajdarmataj. Prokuroi përdorte një numër të fshehtë, të regjistruar në emër të dikujt tjetër, për të komunikuar me njerëzit e botës së krimit.

Numri, i cili përdorte Hajdarmataj ishte regjistruar në emrin e një gruaje nga Fieri. Me datë 27 korrik 2017, në orën 22:03 të mbrëmjes, Besim Hajdarmataj i kishte nisur dy mesazhe një presoni të botës së krimit në Shqipëri.

Prova u paraqit nga Komisioni Publik, por mësohet se është zbuluar nga prokurorët dhe gjyqtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilët janë pjesë e Operacionit Ndërkombëtar për monitorimin e Vetingut.

Në momentin kur u zbulua ky fakt në seancën e radhës gjyqësore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Besim Hajdarmataj nisi të vijonte lojën, duke pohuar se numri nuk ishte i tij.

Ai tha se në Fier gjatë gjithë jetës së tij ka qenë vetëm 30 minuta. Por, me sa duket Besim Hajdarmataj kishte harruar se nuk ka të bëjë me Adriatik Llallën dhe Petrit Fushën, por me hetues të SHBA-BE që të mbërthejnë me prova.

Përfaqësuesit e ONM kishin kërkuar nëpër dokumente, dhe kishin zbuluar se ky numër i fshehtë telefoni, ishte deklaruar nga Besim Hajdarmataj si numri i tij në deklaratat e pasurisë që kishte dorëzuar në ILDKP vite më parë. Për një moment, prokurori u trullos, por pas disa sekondash nisi vijimin e lojës.

Besim Hajdarmataj kërkoi kohë që të verifikonte nëse kishte deklaruar vërtetë një numër të tillë që mund të ishte një lapsur. Por, turpi gjykues e kishte parashikuar këtë situatë.

Trupi gjykues kishte marrë me vete një nga deklaratat e pasurisë së prokurorit dhe kishte rrethuar numrin e telefonit të deklaruar, që përputhje me numrin që u dërgonte mesazhe kriminelëve.

I zënë ngushtë dhe i kapur në grackë, Besim Hajdarmataj pranoi se ishte i njëjti numër, por pati guximin të sajonte mashtrimin e fundit para shkarkimit tashmë të sigurt. Ai tha se numri i tij ishte me 067 dhe jo me 069. Besim Hajdarmataj arriti të kalonte shkallën e parë Vetingut në tetor të vitit 2019.

Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi shkarkimin e tij nga detyra si i korruptuar, pasi kishte mbyllur dosjet e drogës, nuk justifikonte pasurinë dhe për më tepër kishte lidhje të forta me njerëzit e krimit. Çështja e Besim Hajdarmataj u ndoq nga Theo Jecobs, makthi më i tmerrshëm i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat