PD: SPAK flet me gjuhë të drunjtë në lidhje me hetimet për çështjen e Teatrit

Shqipëria

PD: SPAK flet me gjuhë të drunjtë në lidhje me hetimet për çështjen e Teatrit

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 13:39
Çlirim Gjata

Në një deklaratë nga selia blu, Sekretari i PD për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata,deklaron se SPAK vetëm ka bërë regjistrimin e kallëzimeve nga selia blu, por edhe Aleanca për Teatrin, për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Gjata thotë se gjuha që po përdpr SPAK “është një gjuhë e drunjtë, gjuhë e cila fshihet pas asaj që quhet, parimit të sekretit hetimor”.

“Përgjigjia që erdhi nga SPAK thjesht tregon që është bërë regjistrimi i këtyre kallëzimeve për shpërdorim detyre dhe kaq, pjesa tjetër siç shpjegon edhe drejtuesi i SPAK z. Kraja, është që përbën sekret hetimor por ata po bëjnë hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Kjo është një gjuhë e drunjtë, gjuhë e cila fshihet pas asaj që quhet, parimit të sekretit hetimor”, tha ai.

Pjesë nga deklarata

Është e vërtetë që ka ardhur përgjigjia nga SPAK në lidhje me kërkesën tonë për informacion se çfarë po bëhet një vit e ca në lidhje me kallëzimin që Partia Demokratike por edhe Alenaca për Teatrin apo subjektet e tjera kanë bërë për shembjen abuzive të Teatrit nga ana e Bashkisë Tiranë, në frymën e vendimit më të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Përgjigjia që erdhi nga SPAK thjesht tregon që është bërë regjistrimi i këtyre kallëzimeve për shpërdorim detyre dhe kaq, pjesa tjetër siç shpjegon edhe drejtuesi i SPAK z. Kraja, është që përbën sekret hetimor por ata po bëjnë hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Kjo është një gjuhë e drunjtë, gjuhë e cila fshihet pas asaj që quhet, parimit të sekretit hetimor. Nuk dua t’i hyj asaj se si gazetarët marrin vesh gjithçka, ose ka një pjesë të gazetarëve që marrin vesh gjithçka që ndodh në të gjitha sekretet hetimore, çfarë ndodh në SPAK, dhe që i bëjnë publike, që bëjnë shumë mirë që i bëjnë publike sepse të paktën marrim vesh diçka çfarë bëhet, mirëpo për çudi ka disa kategori kallëzimesh për të cilat as gazetarët nuk dinë asgjë, jo më ne që i kemi bërë kallëzimet, sepse me sa thuhet nuk është bërë kurrëfarë lëvizje, kurrëfarë hetimi. Ky është një problem tjetër. Ajo që unë shoh tek kjo përgjigje se “po bëhet një hetim i plotë dhe i gjithanshëm”, do të kisha dashur nga drejtuesit e SPAK, qoftë edhe në mënyrë teorike të na shpjegoni se çfarë do të thotë “hetim i plotë dhe i gjithanshëm” që pastaj ne ta dimë, që mbi bazën e këtyre parimeve dhe kritereve të “hetimit të plotë dhe të gjithanshëm” nesër të shohim se çfarë ka bërë gjatë gjithë këtij viti SPAK. Sepse një ditë kjo çështje do hapet. Çështja nuk do të mbetet sekret.

Gjatë këtij viti SPAK a ka pyetur njeri për shpërdorim detyre, ka thirrur njeri? Ne nuk po i kërkojmë përmbajtjen se çfarë kanë thënë në marrjen në pyetje, por a ka thirrur dikë? Kryetarin e Bashkisë? Një anëtar të Këshillit Bashkiak a dikë që ka marrë një dokument, ose një letër. Një ditë do të dalë dhe do të shohim që gjatë gjithë këtij viti që ne po kërkojmë për të cilën thuhet se po bëhet “hetim i plotë dhe i gjithanshëm” çfarë është bërë? Këto ne nuk i kërkojmë për të bërë presion mbi SPAK, por për të parë nëse ky institucion është në funksionin për të cilin është krijuar, apo jo? Nuk mundet ta mbajmë goditjen e korrupsionit në nivele të ulëta, kryetarë Bashkie, zv/ministrash që korruptohen me gjëra qesharake, apo nënpunësve të ulët për tendera që vlejnë miliona dollarë, shefat e të cilëve nuk ditkan gjë.

Nuk është ky korrupsioni në Shqipëri. Të gjithë e dimë këtë. Dhe SPAK për këtë është krijuar, Sepse po të ishte për gjëra të vogla nuk do t’ia vlente të ngriheshin institucione të tilla me Reformën në Drejtësi. SPAK duhet të veprojë më shpejt në raport me çështjen e Teatrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat