Plazh edhe në shtator, meteorologët parashikojnë vjeshtë të nxehtë

Shqipëria

Plazh edhe në shtator, meteorologët parashikojnë vjeshtë të nxehtë

Më: 2 shtator 2021 Në ora: 22:38
Foto ilustrim

Edhe pse thonë që vapa ikën me gushtin, për këtë vit kjo thënie nuk qëndron. Fundjava e fundit e muajit gusht, por edhe fillimi zyrtarisht i vjeshtës, kanë qenë shumë të favorshme për të shijuar bregdetin.

Gjysma e parë e muajit shtator do të ketë temperatura tipike të verës, termometri pritet të shënojë deri në 31 gradë celsius.

Sipas sinoptikanëve, moti në javën e parë të muajit do të jetë i qëndrueshëm dhe reshjet vetëm kalimtare, kryesisht në zonat malore.

“Moti i qëndrueshëm na ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj jave dhe pritet të jetë prezent edhe në fundjavë në një pjesë të mirë të territorit, ndërkohë që e shtuna në mbrëmje dhe e diela do të sjellin reshje, por të përkohshme” – tha meteorologia Lajda Porja.

Edhe temperaturat do të vijojnë të mbeten më të larta sesa mesatarja e stinës.

“Deri në datën 15 pritet që temperaturat të jenë 30, 31 gradë do të na shoqërojnë në territorin shqiptar, megjithëse jemi në vjeshtë. Reshjet do të jenë shumë pak të pranishme”.

Sa i përket intensitetit të erës, sinoptikanët parashikojnë një forcim gjatë fundjavës, duke bërë që në zonat bregdetare era të arrijë edhe mbi 50 km/orë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat