Flet babai i 28 vjeçarit që vdiq pasi ra nga Rogneri: Mendova mos e ka shtyrë dikush

Shqipëria

Flet babai i 28 vjeçarit që vdiq pasi ra nga Rogneri: Mendova mos e ka shtyrë dikush

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 11:44
Ajdin Mustafi

Pak ditë më parë, 28-vjeçari Ajdin Mustafi, humbi tragjikisht jetën pasi ra nga kati i pestë i një hoteli në Shqipëri. Shkak u bënë kangjellat e amortizuara të ballkonit, të cilat u këputën në momentin kur ai ishte mbështetur në to.

Ai u plagos rëndë dhe kanë qenë disa qytetarë që i kanë shkuar në ndihmë, por i riu nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe për pasojë ka humbur jetën.

Në lidhje me ngjarjen, në një emision televiziv ka reaguar edhe i ati i 28-vjeçarit, Mehmet Mustafi.

Ai tha se i biri kishte shkuar për pushime në Tiranë. Ai deklaroi gjithashtu se fillimisht lajmin e ka marrë vesh nga mediat dhe ka dyshuar se dikush mund t’ia kishte shtyrë të birin.

Pasi ka mbërritur në komisariatin Nr.1 ai ka marrë vesh se ngjarja ka qenë aksidentale, e shkaktuar nga këputja e hekurave të ballkonit.

“I la shumë përshtypje vitin e kaluar Tirana. Nuk jam i sigurt, nuk e kemi pyetur emrin e hotelit ku ka qenë vitin e kaluar, por më duket se ka qenë në të njëjtin hotel, pasi i ka pëlqyer shumë dhe hoteli dhe Tirana. Pikëllim i madh më erdhi kur mora vesh lajmin, isha duke udhëtuar vetëm dhe i shtroja vetes shumë pyetje: Mos është hedhur vetë, a mos e ka hedh dikush, a mos ka qenë ndonjë person tjetër me të? Kam qenë shumë i emocionuar dhe kisha stres shumë, më pas e mësova se ky kishte qenë një aksident”, ka deklaruar Mustafi.

Ai tha se në komisariat i kishin thënë se në momentin tragjik, djali i tij kishte dalë në ballkon për të ndezur një cigare dhe ishte mbështetur në kangjellat e hotelit.

Këto i mësuam kur mbërritëm në Komisariatin nr.1 në Tiranë. E pinte cigaren! Për sa i përket komisariatit na thanë që po pinte cigare i mbështetur te kangjellat e hotelit në momentin që u rrëzua. Ka qenë djalë i plotë, i mbushur, është mbështetur me shpinë në kangjellat e hoteli dhe barrierat nuk e kanë mbajtur. Komisariati më ka thënë se ka qenë ora 14:40. Kur e pashë se kështu ka qenë ngjarja, dhimbja ime ka qenë në dy pjesë, rehatova shpirtin se djalin nuk e kishte shtyrë askush, por që një djalë 28-vjeçar me ardh në Tiranë dhe me humb jetën për shkak të barrierave të pafiksuara ma shtoi dhimbjen. Mua më kanë thënë që ka rënë sipër një veture së bashku me barrierat. Në ndihmë i ka shkuar pastruesja dhe një djalë i informacionit të cilët i takova më pas në komisariat”, ka deklaruar babai i 28-vjeçarit.

Babai i Ajdinit ka treguar edhe fjalët që ia kishte thënë i biri i tij një njeriu që e kishte shoqëruar në ambulancë.

“Ai djali që e shoqëroi në ambulancë më tha se djali i shtrëngonte dorën dhe i thoshte: Unë jam Ajdin Mustafi! Unë jam Ajdin Mustafi! Mua ai djali që e takova në komisariat më ka thënë që e ka dhënë jetën në spital. Me spitalin nuk kemi mundur me bisedu, por jemi drejtuar te morgu pasi na interesonte ta sillnim djalin sa më shpejt në Kumanovë. Nuk kemi pasur kohë me shkuar te hoteli. Hoteli e ka pas dit që ne kemi ardhur në Tiranë, por nuk na kanë kontaktuar. Aty në komisariat na thanë që ata të hotelit kishin frikë se mos ne do të vinim me pushkë me hap luftë për djalin 28-vjeçar që humbëm. Drejtori i rrjetit të hoteleve ka telefonuar djalin tjetër Erkanin, kanë fol në gjuhën angleze. Nuk kam biseduar me djalin se çfarë ka biseduar me drejtorin, pasi nuk ka pasur kohë, pasi kanë ardhur shumë njerëz për të shprehur ngushëllimet për djalin”, ka deklaruar Mustafi në News24.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat