SHBA kërkojnë arrestimin e Sali Berishës, Yuri Kim dy mesazhe Krajës për dosjen e zezë

Shqipëria

SHBA kërkojnë arrestimin e Sali Berishës, Yuri Kim dy mesazhe Krajës për dosjen e zezë

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 13:39
Yuri Kim

Vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shpallur ‘non grata’ Sali Berishën dhe Familjen e tij, për korrupsion madhor, pengim të drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri, është një provë vendimtare dhe historike për SPAK, për të nisur goditjen e korrupsionit në nivele të larta në vend.

Presioni mbi SPAK është shtuar pas urdhrit të presidentit amerikan Joe Biden, i cili i ka shpallur zyrtarisht luftë korrupsionit në Shqipëri, duke nisur me bllokimin e pasurive të pushtetarëve dhe ish pushtetarëve të korruptuar shqiptarë kudo në botë.

Pas dhjetëra mesazhesh paralajmëruese, amerikanët ‘bombarduan’ Sali Berishën dhe familjen e tij në 19 maj 2021, duke e futur në listën e zezë. Ky vendim ishte një paralajmërim serioz edhe për aleatin e tij, Ilir Meta, i cili duket se është dorëzuar, pas shkarkimit dhe asgjësimit të LSI.  

Edhe pse kanë kaluar 4 muaj nga goditja historike që amerikanët i dhanë kokës së krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, deri më sot, SPAK nuk ka regjistruar një çështje penale për Sali Berishën.

Ky qëndrim i SPAK është një goditje ndaj vendimit të SHBA kundër Berishës, pasi duke mos nisur një hetim, mbështet alibinë e Berishës për mungesën e pronave në dosje.

Në këto rrethana, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, i dha dje dy mesazhe të forta SPAK dhe drejtuesit të saj, Arben Kraja.

Së pari, ambasadorja Yuri Kim garantoi se dosja që amerikanët kanë përgatitur për Sali Berishën dhe Familjen e tij, përmban prova dhe fakte konkrete, të mbledhura për vite me radhë dhe të shqyrtuara përmes një procesi serioz. Provat për korrupsionin madhor të Sali Berishës kanë kaluar në disa filtra dhe në shumë nivele, deri kur janë paraqitur tek Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Pra, dosja është një material voluminoz penal.

Yuri Kim tha se “Tani, e gjitha ka të bëjë me faktet. Dhe do t’ju them që procesi për përcaktimin e individëve, sidomos individëve të rëndësishëm, është një proces shumë i gjatë dhe shumë tërësor. Dhe, në kohën kur një vendim shkon përpara Sekretarit të Shtetit, pra që të nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit, ai ka kaluar nëpër shumë e shumë nivele shqyrtimi. Mendoj se është e drejtë të thuhet që në shumicën e rasteve, në të gjitha rastet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë, po flas për të gjithë botën, në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë”.

Së dyti, pas garancisë për faktet, Yuri Kim i dha një mesazh të qartë SPAK se duhet të marrë në dorë dosjen e Sali Berishës. Dhe ky mesazh i adresohet më shumë kreut të SPAK, Arben Krajës, i cili po mbyll mandatin 3-vjeçar pa asnjë goditje ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.

Yuri Kim u shpreh se “Pavarësisht nëse këto vendime janë për në Shqipëri apo ndokund tjetër në botë, siç e thashë më herët, në momentin që këto vendime çertifikohen nga Sekretari i Shtetit dhe shpallen nga Sekretari i Shtetit, ato janë shumë të dukshme dhe do të ishte me vend që autoritetet vendase të shikonin masat”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat