Kryebashkiaku Veliaj i dorëzon medaljen e mirënjohjes së Tiranës sizmologut Shyqyri Aliaj

Shqipëria

Kryebashkiaku Veliaj i dorëzon medaljen e mirënjohjes së Tiranës sizmologut Shyqyri Aliaj

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 16:02
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti profesorin e mirënjohur Shyqyri Aliaj, i cili ka drejtuar për vite me radhë Institutin e Sizmiologjisë. Veliaj i dorëzoi medaljen e Mirënjohjes së Qytetit të Tiranës, për një kontribut të jashtëzakonshëm në sizmologji, sidomos gjatë tërmeteve të 2019-ës.

“E vlerësoj që jeni pjesë e këtij gëzimi, jo vetëm timin personal, por gëzimin e qytetit tonë, të atyre që e duan shkencën, të atyre që besojnë faktet, të atyre që vlerësojnë punën, edhe kontributin ndër vite të njerëzve të shquar të këtij qyteti. Është një nder i jashtëzakonshëm që profesor Shyqyri Aliajt t’i dorëzojmë mirënjohjen e qytetit të Tiranës, për një kontribut të jashtëzakonshëm sidomos në sizmologji”, vuri në dukje Veliaj.

Më tej kryebashkiaku theksoi: “Dëgjojmë ndonjëherë gjithologët që duket sikur marrin vesh nga gjithçka, edhe duhet t’i bëjmë një kujtesë vetes, që mes nesh në këtë qytet me 1 milion banorë ka disa që marrin vesh më shumë, ka disa që kanë bërë shkollën, që kanë bërë kontributin e jetës së tyre, që kanë sakrifikuar gjithçka për të prodhuar shkencë shqiptare. Po i afrohemi përvjetorit të tërmeteve, teksa kemi rindërtuar gjysmën e dëmeve. Kemi akoma dhe pak punë për të bërë vitin tjetër”.

Profesor Aliaj tha se ndihet i nderuar për këtë vlerësim që Bashkia e Tiranës i ka bërë atij. “E konsideroj një vlerësim të lartë që më bëhet sot në Bashkinë e Tiranës nga zoti Erion Veliaj, sepse në situatën e tanishme nuk kam dëgjuar ndonjë shkencëtar që të ngjisë shkallët këtu. Këmbëmbarë, kështu qofshin edhe të tjerët që të punojnë për vendin, për Shqipërinë dhe të vazhdojnë të kontribuojnë”, u shpreh Aliaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat