Autori i vrasjes së policit është 21 vjeçari i dënuar për drogë, u largua me makinë pasi kreu krimin

Shqipëria

Autori i vrasjes së policit është 21 vjeçari i dënuar për drogë, u largua me makinë pasi kreu krimin

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 12:12
Saimir Hoxha

Policia ka dhënë detaje në lidhje me autorin e vrasjes së Saimir Hoxhës, efektivit të policisë në Lezhë Aldo Rama 21-vjeç. Ai ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe mbajtje të armëve të ftohta. Pasi ka qëlluar më armë zjarri në drejtim të Hoxhës dyshohet se ai është larguar me automjet nga vendi i ngjarjes.

Gazetari Gjergj Figuri raporton për ABC se pasi është larguar pak nga zona, i riu ka braktisur makinën pranë një biznesi brenda zonës së Lagunës për t’u arratisur më pas në këmbë. Policia ka nisur krehjen e zonës, pasi dyshohet se ai nuk është larguar shumë nga vendngjarja.

“Në vijim të informacionit paraprak, falë veprime të shpejta hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Autori i dyshuar është shtetasi Aldo Rama, 21 vjeç, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta, i cili është larguar me automjet nga vendngjarja. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij. 

Grupi i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale”, njofton policia.

Efektivi u qëllua paraditen e sotme në zonën e Vainit në Lezhë, ku ai ndodhej në krye të detyrës në terren për parandalimin për kultivimin e lëndëve narkotike. Saimir Hoxha ishte nga Puka dhe prej vitesh punonte si efektiv policie në Lezhë dhe në Shëngjin. Ai dyshohet se kishte informacione se brenda lagunës Kunë-Vain ku dhe u qëllua me armë zjarri, kultivohej lëndë narkotike. m.v/abcnews.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat