Aktivistja republikane, Evi Kokalari, ishte sërish sot në takimin që Sali Berisha zhvilloi me demokratët në Durrës.
Ajo mohoi zërat se synon të bëhet kryetare e PD-së, ndërsa “shpalli” edhe kryetarin e ri, pavarësisht se vetëm pak muaj më parë, u konfirmua me votë Lulzim Basha.
‘Unë nuk kam nevojë të bëhem kryetare e Partisë Demokratike pasi ne e kemi kryetarin e Partisë Demokratike, ai është Sali Berisha’, tha Kokalari.
Kokalari bëri një denoncim të forte ndaj kryedemokratit Lulzim Basha.
“Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike pasi është këmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lulzim Bashës, një dosje që ekziston në Shqipëri dhe në Amerikë. Kjo është e vetmja arsye pse është përjashtuar Sali Berisha,” tha ajo, ndërsa shpjegoi se bëhet fjalë për një dosje lobimi në SHBA.