“A u realizua qëllimi i reformës territoriale?”, Rushaj: Pse propozojmë një të re

Shqipëria

“A u realizua qëllimi i reformës territoriale?”, Rushaj: Pse propozojmë një të re

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 13:00
Alfred Rushaj

Është më shumë se sa numri i bashkive dhe ndarja territoriale. Kështu deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD Alfred Rushaj në një komunikim për mediat ditën e sotme, lidhur me reformën e re territoriale që kërkon opozita.

Ai tha se janë disa arsye se përse opozita kërkon uljen në tryezë. Sa i përket bashkëpunimit me maxhorancën, Rushaj deklaroi se bëhet fjalë për diskutimet siç e kërkon procedura dhe rregullorja e Kuvendit.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është nga jemi nisur ne për ta bërë këtë propozim. Tani që kanë kaluar 5 vjet së paku nga implementimi i reformës territoriale që bëri në mënyrë të njëanshme maxhoranca kemi kohë për të parë nëse qëllimi është realizuar. Qëllimi për minimizimin e shpenzimeve të tepërta, ndërkohë që kjo nuk ka ndodhur shpenzimet janë shtuar dhe këtë nuk e themi ne. Dhe ç’është më e rëndësishmja, parimi i ofrimit të shërbimit sa më afër qytetarit jo vetëm që nuk është përmirësuar, përkundrazi është përkeqësuar. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë që jetojnë në disa zona rurale duhet të bëjnë qindra kilometra për të marrë një shërbim, një certifikatë.

Decentralizimi është tjetër gjë themelore sa i takon pushtetit vendor. Sot reforma aktuale çfarë ka bërë është që qeveria i ka marrë burimet për të financuar kompetencat pushtetit vendor dhe i ka shtuar detyrat dhe kompetencat duke i çuar totalisht në pamundësi për të realizuar shërbimet e veta. Ndarja territoriale në disa raste është bërë jo duke pasur parasysh parimin që ka Kushtetuta, por është bërë tërësisht mbi bazën e interesit të ngushtë politik. Këto janë arsyet nga jemi nisur ne për të bërë propozimin për t’u ulur për të bërë një reformë të re territoriale, pjesë e së cilës është ndarja territoriale. Pra, është më komplekse se sa bashki kemi.

Ju thoni bashkëpunim, nuk do jetë bashkëpunim, do jetë diskutim siç e kërkon procedura dhe rregullorja e Kuvendit. Deri tani nuk jemi ulur, por mbledhja e parë që do të thirret nga Kryetarja e Kuvendit dhe aty do të ulen anëtarët e komisionit të ligjeve të PD dhe ata të PS, anëtarët e këshillit të Legjislacionit të PD dhe ata të partisë tjetër”
, deklaroi Rushaj.

Nënkryetari i PD tha se gjetjet e Komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit do të reflektohen tek ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Ai deklaroi se nëse ka vullnet politik, është kohë e mjaftueshme për t’i diskutuar, arritur në konkluzion dhe miratuar.

“Nuk ka absolutisht asnjë konfuzion, përkundrazi gjetjet që do dalin nga ky komision hetimor do duhet të reflektohen tek ndryshimet e Kodit Zgjedhor që do duhet të bëjnë palët. Që të ndryshohet Kodi Zgjedhor duhen aq vota, që të ndryshohet Kushtetuta duhen aq vota, ne kemi mandatin që kemi në parlament, patjetër që nëse ndryshohet Kodi Zgjedhor dikush do duhet ta votojë.
Propozimi ynë kushtetues ka të bëjë me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme zgjedhore që u kryen në korrik të vitit 2020. Komisioni do diskutojë çështjet teknike për zgjedhjet, por edhe problematikat dhe çështjet politike që do dalin nga hetimi që do i bëhen zgjedhjeve në komisionin hetimor. Nëse ka vullnet politik besoj është kohë e mjaftueshme për t’i diskutuar, arritur në konkluzion dhe miratuar”,
th Rushaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat