Kanceri i gjirit, Manastirliu: 5000 mamografi gjatë muajit tetor

Shqipëria

Kanceri i gjirit, Manastirliu: 5000 mamografi gjatë muajit tetor

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 19:35
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi ditën e sotme në forumin për të rritur ndërgjegjësimin në luftën kundër kancerit të gjirit se po punohet për forcimin e kapacitetit të sistemit shëndetësor. Manastirliu deklaroi se deri më tani gjatë muajit tetor janë kryer 5000 mamografi ndërsa në 7 muajt e parë të vitit janë kryer vetëm 4000 mamografi. Ajo u shpreh se duhet që në çdo spital rajonal të jetë njësia e kimioterapisë.

“Sot është një ditë për të vendosur disa piketa në sfidat e këtij 10-vjeçari. Çdo gjë fillon nga realizimi i një plani që merr në konsideratë të gjitha aspektet.  Duam të ulet numri i tumoreve. Nisur nga këto qëllime jemi duke punuar për të forcuar kapacitetet e sistemit shëndetësor. Në qendrat e mjekësisë familjare, do të jetë edhe shërbimi palietik. Kur flasim për mjekun e familjes e rëndësishme është sa mundemi ne sot të kemi nën kontroll zbatimin e këtyre protokolleve. Ne kemi miratuar paketën e programit të kontrollit për kancerin e gjirit.

Një paketë e plotë për grupmosha të caktuara.  A e kemi sot ne të garantuar që çdo mjek familje njëherë në dy vjet thërret çdo grua për të bërë një kontroll mamografik. Duhet të ndalemi dhe të fokusohemi që paketa për diagnostifikimin e gjirit të jetë i gatshëm për të gjitha gratë. Vetëm për këtë muaj ne kemi kryer rreth 5000 mamografi ndërkohë që nga janari deri në shtator kemi kryer 4000 mamografi.  Tashmë ekzistojnë kapacitetet. Duhet puna e mjekut të familjes për të kontrolluar njëherë në dy vite çdo grua mbi 50 vjeç.

Duhet që çdo spital rajonal të ketë njësinë e vet të kimioterapisë. Janë 59 mjekë onkologë edhe në proces që po ndjekin specializimin për të plotësuar nevojat dhe për të mundësuar që këto njësi të jenë të kompletuara. Jemi duke finalizuar programin kombëtar për 10 vitet e ardhshme që përcakton detyrat për çdo institucion në fushën e parandalimit, diagnostifikimin e hershëm, kujdesin për kancerin. Ky program do të jetë udhërfyes për ne, për të gjithë hapat apo veprimet që ne do të marrim në të ardhmen e afërt dhe planet që duhet të vendosim këto vite për të garantuar që çdo qytetar të marr shërbim shëndetësor kudo ku jeton”, deklaroi ministrja.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat