Verifikimi i votave të 25 prillit, PS-së dhe PD-së iu shtuan vota gjatë numërimit

Shqipëria

Verifikimi i votave të 25 prillit, PS-së dhe PD-së iu shtuan vota gjatë numërimit

Më: 24 tetor 2021 Në ora: 15:00
Shqipëri

Prej më shumë se 1 javë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e rinumërimit të votave për 500 qendra votimi për të verifikuar rregullsinë dhe saktësinë e veprimtarisë së administratës zgjedhore përgjatë zgjedhjeve.

Nga ky proces deri më tani rezulton se dy partitë më të mëdha, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë shtuar votat gjatë procesit të numërimit.

Në 323 qendra votimi që janë verifikuar deri më tani, rezulton se Partia Demokratike ka 84 vota shtesë ndërsa Partia Socialiste del me 57 vota të shtuara.

Pas tyre janë Partia Social Demokrate dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që në këto 323 qendra votimi rezultojnë që të kenë marrë 8 dhe 9 vota shtesë.

Gjatë verifikimit janë vërejtur tjetërsime të vullnetit të qytetarëve edhe sa i takon votave që janë hedhur për deputetët.

Në listat e Partisë Demokratike, kandidatit që i janë marrë më shumë vota është Ardian Zeneli në Elbasan. Ndërsa më shumë vota gjatë numërimit rezulton se i janë shtuar Lefter Gështenjës që ishte i treti në Elbasan.

Për Partinë Socialiste, deputetit që i janë marrë më shumë vota gjatë numërimit është Fatmir Xhafaj. Ndërsa më shumë vota nga socialistët i janë shtuar Eduard Shalsit.

Edhe numri i fletëve të pasakta është shtuar, teksa në këto 323 kuti janë zbuluar 156 vota të pavlefshme.

Ky proces që është duke zhvilluar KQZ nuk ndikon në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 25 prillit, shpallur në korrik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat