Shkon në 370 numri i pacientëve të helmuar nga uji në Krujë

Shqipëria

Shkon në 370 numri i pacientëve të helmuar nga uji në Krujë

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Të paktën 370 persona me simptoma helmimi janë paraqitur në spitalin e Krujës. Dyshohet se ata u helmuan nga uji i pijshëm.

Qytetarë të grupmoshave të ndryshme kanë kërkuar trajtim mjekësor, pasi pjesa më e madhe e tyre kishin diarre e të vjella që shkaktojnë dehidratim.

“Kam kriza barku, dhimbje koke, të vjella. I shfaqa shenjat mbrëmë. Dyshoj tek uji, duke e pirë përditë. S’kemi ku të dyshojmë“, tha një qytetar.

Personat me simptoma janë nga zona të ndryshme të Krujës, ndaj dyshimet janë përqendruar te cilësia e ujit të pijshëm që rrjedh në rubineta.

Në një deklaratë për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se nëse do të jetë e nevojshme, edhe Spitali i Durrësit do të vendoset në dispozicion për pacientët që kanë shfaqur probleme.

Ministrja tha se deri më tani në spitalin e Krujës janë paraqitur 370 pacientë me shenja të helmimit.

E pyetur lidhur me furnizimin me ujë të spitalit, Manastirliu nuk preferoj të përgjigjet, ndërsa drejtoresha e spitalit deklaroi se ka ujë të pijshëm.

“Kam ardhur për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të qytetarëve që marrin shërbim në spitalin e Krujës. Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione, nuk kemi ndonjë qytetar me gjendje të komplikuar shëndetësore. Janë rreth 370 qytetarë që janë paraqitur në spital ku kanë marrë shërbimin e nevojshëm. Sot janë paraqitur 60 qytetarë. Tashmë janë edhe disa pacientë të tjerë që po marrin shërbim në urgjencë, janë rreth 30 qytetarë aktualisht. Ka edhe adoleshentë, fëmijë e të rritur. Sa i përket hetimit epidemiologjik, të gjithë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë po kryejnë të gjitha investigimet në të gjitha pista e mundshme. Janë marrë mostrat e ujit dhe ushqimeve, janë një seri pistash që po investigohen. Po pyeten të gjithë qytetarët se çafër kanë konsumuar dhe do kemi rezultat përfundimtar kur të kemi rezultatin e analizave mikrobiologjike. Kemi marrë masa që nëse do të ketë raste të shtuara edhe spitali i Durrësit mund të vendoset një pavion për të pritur pacientët. hetimet po kryhen në shumë pista”, tha ajo.

Në Krujë ka shkuar dhe një ekip nga Inspektorati i Shëndetit për të kryer inspektime mbi situatën e krijuar.

Situata e helmimit të banorëve të Krujës ka vënë në lëvizje autoritetet vendore, si dhe policinë e prokurorinë e Krujës për të kuptuar shkaqet e kësaj situate të rënduar shëndetësore në popullatën e Krujës.

Për këtë arsye është ndërprerë furnizimi me ujë nga rrjeti i ujësjellësit në Krujë. Vendimi është marrë nga njësia vendore e Kujdesit Shëndetësor në pritje të përgjigjes së analizave për ngarkesën mikrobike/bakterologjike të ujit.

Mbi 80 përqind e popullatës në Krujë konsumon ujin e çezmës në përditshmërinë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat