Edi Rama inauguroi në fushatë ujësjellësin e Krujës

Shqipëria

Edi Rama inauguroi në fushatë ujësjellësin e Krujës

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 16:10
Edi Rama

Ishte fushatë elektorale e zgjedhjeve parlamentare. Kryeministri Edi Rama e inauguroi ujësjellësin e ri të Krujës, dhe për këtë rast ngriti dhe një dolli.

“Uji i pijshëm i Krujës 24 orë, gëzuar!”

Premtoi se nuk do të vuanin për ujë, por tashmë banorët e Krujës po vuajnë pasojat e këtij uji.

Jo vetëm që furnizimi nuk është 24 orë, por ajo që është më e rëndësishmja, uji dyshohet se është i ndotur. Qindra qytetarë janë paraqitur këto dy ditët e fundit për ndihmë në spital.

Problemet e ujësjellësit ndodhën menjëherë pas inaugurimit. Pas tre muajsh banorët e Krujës protestuan tek Bashkia pasi në çezmat e tyre nuk kishte ujë.

Pushteti vendor ngriti një grup pune dhe u shpjegoi qytetarëve se mungesa e ujit ishte për pasojë të lidhjeve të paligjshme.

Aksioni i bashkisë ishte i menjëhershëm kundër vjedhësve, por sërish problemet me furnizimin dhe me cilësinë e ujit nuk u zgjidhën.

Banorët ankohen se shpesh uji vjen i turbullt në çezma. Përballë kësaj papërgjeshmëria, ata që vuajnë janë qytetarët që tashmë duhet të presin në radhë në urgjencën e qytetit të marrin shërbimin e mjekësor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat