Kriza ekonomike nuk ndikon te shpenzimet e luksit, 3.2 mld lekë për makina e mobilje

Shqipëria

Kriza ekonomike nuk ndikon te shpenzimet e luksit, 3.2 mld lekë për makina e mobilje

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 16:23
Edi Rama

Në buxhetin e vitit të ardhshëm institucionet shtetërore do të shpenzojnë të paktën 3.2 miliardë lekë vetëm për automjete dhe orendi për mobilimin e zyrave. Në detajimin e draftit të paraqitur në Kuvend janë pasqyruar ministritë, bashkitë apo struktura të tjera që kanë kërkuar makina të reja në vitin e ardhshëm.

Qeveria shqiptare do të shpenzojë vitin e ardhshëm rreth 1.2 miliard lekë për blerje të automjeteve të reja.

Sipas tabelës së investimeve, mjetet i kanë kërkuar kryesisht institucionet e pavarura si Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, Gjykata Kushtetuese, institucionet e reja të drejtësisë dhe Agjencia për Median dhe Informimin, e krijuar së fundmi nga qeveria Rama.

SHISH do të shpenzojë për mjetet e transportit rreth 198 milionë lekë, institucionet e reja të drejtësisë 95.4 milionë lekë, Gjykata Kushtetuese 3 360 mijë lekë dhe Agjencia për Median dhe Informimin 7 milionë lekë.

Brenda këtij fondi përfshihet dhe blerja e autoambulancave për shërbimin e urgjencës me një vlerë prej 85 milionë lekësh dhe blerja e automjeteve për burgjet, vlera e të cilave arrin 225 milionë lekë.

Institucione të tjera që kanë parashikuar blerje të makinave janë Garda e Republikës, Ujësjellës Kanalizime Kamëz, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit dhe Agjencia e Punësimit.

Por shpenzime luksi nuk janë vetëm automjetet, jashtë kërkesave nuk ka mbetur as rinovimi dhe mobilimi i zyrave.

Vetëm për blerje orendish dhe pajisjen parashikohen fonde që shkojnë në rreth 2 miliardë lekë.

Nga lista e investimeve bëhet e ditur se më shumë do të shpenzohen për blerjen e pajisjeve dhe orendive të zyrave për Qendrën e Furnizimit të Materialeve Teknike në Ministrinë e Brendshme në vlerën e 307.8 milionë lekëve.

Ndjekur më pas për blerjen e pajisjeve për zyrat e Ministrisë së Brendshme dhe blerjet e mobiljeve dhe pajisjeve për shkollat e arsimit profesional, të cilat arrijnë 166 milionë lekë.

Në projekt-buxhetin e ri është menduar dhe për rikonstruksionin e disa zyrave dhe qendrave shëndetësore dhe godinave që kapin shifrën e rreth 2 miliardë lekëve

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat