Policia kontroll në mbi 80 banesa e garazhe për gjetjen e strofkës së grupit që vrau Demir Backën

Shqipëria

Policia kontroll në mbi 80 banesa e garazhe për gjetjen e strofkës së grupit që vrau Demir Backën

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 16:30
Demir Backa

Dhjetëra efektivë të policisë “Shqiponja”, të shoqëruar dhe nga oficerë të Krimeve të Rënda të drejtorisë së Fierit, kanë kryer kontrollin e rreth 80 banesave në qytetin e Fierit, ku besohet se kanë qëndruar me qira personat që kanë ekzekutuar me armë zjarri, biznesmenin Demir Backa.

Një kontroll i tillë është kryer pikërisht në vendin e quajtur “15 katëshi” në Fier, zonë e cila kontrollohet nga Arben Isufi, një personazh me precedentë penalë dhe potencialisht me shumë influencë në këtë qytet.

Hetimet tashmë po drejtohen nga prokurori i Fierit, Hysen Ajasllari, i cili u ka lënë një sërë detyrash oficerëve të Krimeve të Rënda të policisë së Fierit.

Një nga shumë detyrat, është dhe kontrolli i shumë banesave dhe disa garazheve, ku besohet dhe ka dyshime se janë fshehur anëtarët e celulës së vrasësve, para kryerjes së krimit.

Një numër i madh pamje, filmike të kamerave të qytetit, janë sekuestruar me qëllimin e vetëm për të krijuar një itinerar të drejtimit të automjetit.

Policia dyshon se mjeti dhe autorët kanë qendruar në Fier, duke u strehuar disa ditë para kryerjes së krimit në një nga zonat e këtij qyteti.

Qëndrimi i tyre në Fier lidhet me faktin e mbledhjes të informacionit për viktimën dhe vendin se ku do të qëllohej.

Për policinë dhe prokurorinë e Fierit, qitësit nuk kanë pasur një konflikt personal me viktimën, por ata kanë marë pjesë në këtë vrasje si autorë të paguar nga persona të tjerë.

Për zbardhjen e këtij krimi, policia e Fierit është duke bashkëpunuar dhe me policinë e Vlorës dhe Policinë Qëndrore në Tiranë, për të krijuar një zgjerim të forcave hetimore me qëllim identifikimin e autorëve të këtijj krimi.

Deri në këtë fazë ku ndodhet çështja, dyshohet nga policia se Arben Isufi, besohet se qëndron prapa këtij atentati.

Dyshimet e shumta janë ngritur pasi rreth 1 vit e gjysëm më parë, viktima Demir Backa ka rrahur në lokalin e tij “Piazza” në Fier Isufin së bashku me djalin e tij.

Kjo zënkë që ka lindur fillimisht mes fëmijëve, është agravuar deri në atë masë edhe mes të mëdhënjve të dy familjeve, sa që tashmë dyshohet shumë se është bërë shkak i vrasjes së biznesmenit Demir Backa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat