N/Kol Namik Rexho Goga, njeriu fisnik dhe ushtaraku model…

Shqipëria

N/Kol Namik Rexho Goga, njeriu fisnik dhe ushtaraku model…

Gëzim Loka Nga Gëzim Loka Më 5 nëntor 2021 Në ora: 07:46
N/Kol Namik Rexho Goga

uke ndjekur gjurmët e një njeriu të mrekullueshëm, një ushtaraku model, si në ekran të parakalojnë episode nga jeta e tij, nga njohja me të, pjesë e shenjave që secili lë në jetën e tij. Kështu e ka jeta, duhet të kesh kapërcyer cakun e saj, që të tjerët, ata që të kanë njohur, të mund të bëjnë një bilanc real të rrugës së ndjekur…

Rrugëtimi i jetës gjithsecilin e përcjell me një bilanc punësh e veprash, por njerëz të veçantë si Namik Rexho Goga i “pagëzon” me një brerore fisnikërie, rrjedhojë e një jete intensive në shërbim të njerëzve.

Ushtarak shembullor, komandant i policisë ushtarake, ku la gjurmë jo vetëm si organizator shembullor, por mbi të gjitha si një mjeshtër i punës me njerëzit, që është alfa dhe omega e një ushtaraku, aq më tepër një ushtaraku të lartë si Namiku. Ai ia doli ta kthente këtë shërbim policor të ushtrisë nga një shërbim me probleme, të mbartura në këtë kohë tranzicioni të vështirë, në një polic efikas, me rendiment dhe performancë në raport me ushtarakët dhe komunitetin. Ai la gjurmë të pashlyeshme në efektivat ushtarake të kësaj njësie të rëndësishme të ushtrisë shqiptare, duke e ngritur atë në një stad të lartë në raport me paraardhësit e tij, që nuk e kuptonin rëndësinë që kishte kjo njësi e specializuar në mbarëvajtjen e punëve të Ushtrisë shqiptare.

Pasi kreu shkollën e Lartë të bashkuar të Oficerëve në Tiranë, të cilën e mbaroi në vitin 1985, do të niste punën në ushtri, duke u titulluar si oficer aktiv ku fill më pas do të kryente kursin gjashtëmujor të Shkollës së Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pas kësaj do të punonte si officer sigurimi në reparte e njësi të ndryshme të ushtrisë, në Tiranë, ku është dalluar për korrektesë shembullore, përgatitje të lartë ushtarake, operativitet, gjallëri në punën me ushtarët dhe efektivat, gatishmërinë për të sakrifikuar, që është cilësia më e spikatur e ushtarakëve shembullorë të këtij vendi.

Ai do të shkëlqente në detyrën si shef i policisë kriminale dhe përpunimit të informacionit në repartin ushtarak 1028, Policia Ushtarake Tiranë, në detyrën e tij si ushtarak i lartë në dispozicion të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, duke treguar nivel të lartë të përgatitjes ushtarake dhe aftësi drejtuese e menaxhuese që e dallonin nga paraardhësit e tij. Siç e thamë, ai krijoi një polici ushtarake model në të gjitha njësitë ushtarake ku shërbeu, duke e ringritur këtë strukturë në bazë të performancës më të lartë dhe përvojës së vendeve Perëndimore dhe NATO-s.

Nga viti 2010, deri sa ndërroi jetë në vitin 2013, ka punuar si shef I sektorit operacional të Forcës Tokësore në shërbimin e kundërzbulimit dhe sigurisë Tiranë, detyrë që e ka kryer me përgjegjësi dhe përkushtim, duke vënë në shërbim të saj të gjitha energjitë dhe pasionin e tij prej ushtaraku model, që kudo, në çdo hap të karrierës së tij ka shfaqur cilësitë më të mira të një ushtaraku të dalluar.

Vdekja e tij la në hidhërim të thellë jo vetëm familjen e tij, e cila e kishte krah dhe mbështetje të fuqishme, por të gjithë kolegët e tij, shokët dhe miqtë, që do ta kujtojnë gjithmonë të qeshur e të shpenguar, aktiv dhe plot energji, cilësi qe e karakterizuan në çdo hap të jetës.

Unë jam krenar që e kam njohur dhe e kam pasur mik, kemi ndarë me të një pjesë të kohës dhe ëndrrave tona prej ushtarakesh, që e duam dhe vlerësojmë ushtrinë dhe kemi investuar në të gjurmët e jetës sonë.

Namik Rexho Goga do të na mungojë, ai nuk është më midis nesh, por gjithçka që ai la pas, punët e tij të mira në shërbim të ushtrisë shqiptare, dashuria për njerëzit që e rrethonin, do të mbesin përherë të gjalla, si një testament dashurie, që ai na e la ne të gjithëve dhe që na bën ta kujtojmë e nderojmë, këtë ushtarak model dhe njeri të mirë, që ishte dhe mbeti fisnik në çdo hap të jetës së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat