Ish-Presidenti Bujar Nishani, se nëse Sali Berisha ka fuqinë për të larguar kreun aktual të Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, ka të drejtë të konkurrojë për të marrë drejtimin e partisë.
“Duhet të jemi realistë. Ai person që ka fuqinë të imponojë largimin e kryetarit aktual përmes aktivizimit të bazës, do të thotë që e ka ai bazën me vete. Në këtë rast, ky person e ka emrin Sali Berisha. Në momentin që verifikohet që shumica e bazës e mbështet zotin Berisha për të larguar zotin Basha, do të thotë që ky njeri e ka partinë me vete. Dhe përderisa e ka me vete, ky njeri ka të drejtë të konkurrojë për të marrë zyrtarisht drejtimin e partisë”, deklaroi Nishani.
Kur u pyet se sa e barabartë mund të jetë një garë ku në të është edhe Sali Berisha, Nishani u përgjigj: “Rëndësi ka që gara të jetë me rregulla të barabarta, që të gjithë t’i pranojnë rregullat, që të jetë transparente dhe infrastruktura të jetë e barabartë për të gjithë kandidatët”.
Në rastin hipotetik të marrjes së partisë nga Sali Berisha, person i shpallur “non grata” nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Nishani theksoi: “Ky është një problem, por unë vë në balancë disa interesa më të mëdha. Për mua, më shumë interes ka kurimi i PD-së si entitet politik. Sot nuk ekziston opozita në Shqipëri. Nëse më pyesin nëse do të pranoj unë asgjësimin e opozitës dhe rrjedhimisht të cenoj rëndë garancitë e lirive dhe të drejtave të njeriut, apo të më shqetësojë një raport i caktuar i një individi, mua më intereson më shumë ekzistenca e opozitës në vend.
E dyta, kur e rregullojmë opozitën dhe e kthejmë në funksion, unë shoh dy interesa të tjera: interesin e PD-së apo të vendit. Aty anoj te interesi i vendit. Janë procese që zgjidhen hap pas hapi dhe këto zgjidhen me vullnetin e mirë të njerëzve”.