Vdekja e 4 turistëve rusë në Qerret, Prokuroria e Kavajës jep informacion për hetimet

Shqipëria

Vdekja e 4 turistëve rusë në Qerret, Prokuroria e Kavajës jep informacion për hetimet

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 16:52
Vdekja e 4 turistëve rusë në Qerret, Prokuroria e Kavajës jep informacion për hetimet

Prokuroria e Kavajës ka vendosur ta hetojë si vrasje vdekjen e katër turistëve rusë në Qerret, mbrëmjen e 15 Tetorit 2021.

Të paktën kjo është vepra penale për të cilën është regjistruar procedimi penal në prokurorinë e Kavajës, pas dorëzimit aty të dosjes paraprake të hetuar nga ana e policisë së shtetit.

Ngjarja ndodhi më 15 tetor, ku 4 persona, çifti i bashkëshorteve, Nataliia Burenkova, 58 vjeçe dhe Sergei Burenkov, 60 vjeç si dhe vajza e tyre Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe burri i saj, Nikita Belousov, 37 vjeç u gjetën të vdekur në ambientet e saunës.

Organi i akuzës përmes një njoftimi bën me dije se në këtë fazë të hetimit në dinamikë janë administruar një sërë aktesh e provash në funksion të çështjes të cilat janë në verifikim nga ana e prokurorisë.

Njoftimi i plotë:

Kavajë, 25 nëntor 2021. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 448/2021, parashikuar në Nenin 79 “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” të Kodit Penal, për ngjarjen e ndodhur datë 15.10. 2021, me pasojë vdekjen e 4 shtetasve rusë në mjediset e SPA të hotel “Gloria Palace”.

Në përgjigje të interesimit të medias informojmë opinionin publik se deri në këtë fazë të hetimit në dinamikë janë administruar një sërë aktesh e provash në funksion të çështjes të cilat janë në verifikim nga ana e prokurorisë. Janë marrë gjithashtu deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale. Të gjitha këto prova po vlerësohen në raport me njëra-tjetrën për të përcaktuar dhe ecurinë e mëtejshme të hetimit.

Duke kërkuar mirëkuptimin e medias dhe opinionit publik në ruajtjen e sekretit hetimor, sigurojmë angazhimin maksimal të prokurorisë në përfundimin e hetimeve në një kohë sa më shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat