Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Presidentit Meta për kthimin në Kuvend të ligjit për Bashkëqeverisjen

Shqipëria

Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Presidentit Meta për kthimin në Kuvend të ligjit për Bashkëqeverisjen

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 12:29
Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Presidentit Meta

Komisioni për Çështjet Ligjore ka rrëzuar të mërkurën dekretin e Presidentit Ilir Meta për kthimin e projektligjit “Për bashkëqeverisjen”.

Ky dekret mori vetëm 3 vota pro dhe 11 kundër, ndërsa pritet t’i shkojë Kuvendit për t’u votuar.

Këshilltari ligjor i Presidentit Meta, Bledar Dervishi sqaroi se problemi i këtij projektligji është mbivendosja e kompetencave dhe centralizimi i pushtetit.

“Krijimi i një agjencie të re në varësi të kryeministrit nuk përputhet me rolin, misionin, dhe detyrat e administratës shtetërore. Një tjetër problem është mbivendosja e kompetencave, centralizimin e pushtetit. Një tjetër problematikë ka të bëjë me parashikimet e ligjit për të ruajtur autonominë e pushtetit vendor. Agjencia për dialog mund të marrë edhe kompetenca për pushtetin vendor. Një parashikim i tillë bie ndesh me decentralizimin e pushtetit vendor”, tha ai.

Dervishi theksoi se Këshilli i Ministrave e ka humbur idenë e parimeve kushtetuese, duke shtuar më tej se Kuvendi nuk duhej ta miratonte.

“Këshilli i Ministrave e ka humbur komplet idenë e parimeve kushtetuese, megjithatë është detyrë e Kuvendit që të distancohet. Kuvendi nuk duhet ta miratonte, por duhet të ishte udhëhequr nga parimi i shtetit të të drejtës, ndarjes së pushteteve, decentralizimit të pushtetit vendor. Cila është nevoja e krijimit të këtyre institucioneve? Është e pritshme të krijojnë ndonjë situatë pasigurie juridike”, tha ai.

Sipas tij, një tjetër problematikë është se Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje merr edhe kompetenca propozuese të akteve para Këshillit të Ministrave, ndërkohë që një e drejtë e kësaj natyre i takon vetëm kryeministrit dhe ministrave.

Për ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila është edhe nismëtare e këtij ligji, bëhet fjalë për mekanizma komplementare dhe jo zëvendësuese me institucionet e tjera.

“Presidenti nuk ka analizuar asnjë normë të ligjit që të bjerë në kundërshtim me parashikimet e kodit. Nuk merr përsipër të zëvendësojë parashikimet e kodit. Mekanizmat janë komplementare dhe alternative, jo zëvendësuese të institucioneve. Në ligj nuk ka as kundërshti, as mbivendosje, nuk cenohen parimet dhe dispozitat kushtetuese. Ligji nuk bie ndesh me ligjin për ndërmjetësin, sepse nuk trajton statusin dhe të drejtat e ndërmjetësve. Kontrolli që do kryejë agjencia nuk ndërhyn në procedurë apo përmbajtje në kontrollet e institucioneve të tjera”, tha Spiropali.

Ajo shpjegoi se për sa i përket autonomisë vendore, parimi i autonomisë mbetet i cenuar, duke shtuar më tej se njësitë qendrore përfshihen vetëm me marrëveshje, me shprehje të vullnetit të tyre.

Ministrja Spiropali tha se arsyet e kthimit të këtij projektligji nga Presidenti janë të pabazuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat