Pagërrjedhja, PD: Pjesë e skemës me të cilën u vodhën zgjedhjet e 25 prillit

Shqipëria

Pagërrjedhja, PD: Pjesë e skemës me të cilën u vodhën zgjedhjet e 25 prillit

Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 16:01
Jorida Tabaku

Partia Demokratike ka reaguar për skandalin e publikimit të pagave të më shumë se 600 mijë qytetarëve të Shqipërisë duke thënë se këto të dhëna sensitive “janë pjesë e skemës së patronazhistëve me të cilën u vodhën zgjedhjet e 25 prillit”.

Nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku u shpreh se ky skandal ilustron se si shteti ka rënë në duart e militantëve patronazhistë që veprojnë “për të mbrojtur pushtetin e paligjshëm të Edi Ramës”.

“Pas PPP-ve, koncesioneve dhe tenderëve të paligjshëm e të pandershëm që kanë rrënuar ekonominë, që ka lënë në varfëri shumicën e shqiptarëve dhe ka dëmtuar sipërmarrjen e ndershme, jeta e secilit prej jush, e familjarëve tuaj, e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve tuaj, është e ekspozuar ndaj çdo shantazhi dhe keqpërdorimi, vetëm sepse Edi Rama dhe bashkëpunotërt e tij, u treguan të gatshëm të shkelin çdo ligj, të cenojnë edhe sigurinë tuaj, vetëm për të mbajtur me forcë pushtetin e tyre të korruptuar”, tha Tabaku.

Ajo u shpreh se pagërrjedhja ka dëmtuar kështu tregun dhe profesionistët e Shqipërisë.

Tabaku foli edhe për inceneratorët, dhe e quajti situatën “skenë krimi”.

“Fatura me koncensionin e inceneratorëve shkon në 430 milionë euro dhe kjo është arsyeja se dhe sot e kësaj dite, Komisioni Hetimor e Inceneratorëve po bllokohet dhe po bojkotohet me vetëdije nga Partia Socialiste, nga partnerët e tyre politikë, nga partnerët e tyre mediatik. Por njëkohësisht edhe nga institucionet shtetërore të cilët refuzojnë të paraqesin prova dhe evidence që dëshmojnë lidhjet e ngushta mes pushtetit dhe pronarëve të vërtetë të inceneratorëve”, tha mes tjerash Tabaku.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat